Dinamo do të zhvillojë mbrëmjen e sotme sfidën përballë Aluminij në transfertë. Sfida e përcaktuar për t’u zhvilluar në Slloveni do të nisë prej orës 20:00.
Për skuadrën e Ilir Dajës, pritshmëritë janë të mëdha për një tjetër rezultat pozitiv, njëjtë siç ndodhi në Kazakistan kur mposhtën Astanën me rezultatin 1-4. Këtë herë, dinamovitët gjejnë një ekip me luhatje të konsiderueshme në javët e fundit.
2 barazime dhe 3 humbje në 5 ndeshjet e fundit, shërbejnë si një “motiv ekstra” për kryeqytetasit që të godasin kundërshtarin në momentin e tyre më të keq dhe të kthehen në shtëpi me shanse të mëdha për kualifikim.
Edhe pse duhet thënë që nënvlerësimet nuk do t’i shkonin në favor të ekipit të Superiores, këto të dhëna nuk duhen injoruar.





