Sekretariati për procedurat, votimet dhe etikën u mblodh sot për të shqyrtuar kërkesën e një grupi deputetësh të Partisë Socialiste për marrjen e masës disiplinore përjashtim me 60 ditë nga punimet e komisioneve dhe të Kuvendit ndaj Agron Shehaj.
Pas përfundimit të mbledhjes, sekretari i Këshillit të Etikës në Kuvend, Ulsi Manja, cilësoi rastin e Shehajt si të përsëritur dhe tha se veprimi i ndodhur në Kuvend ka cenuar marrëdhënien e respektit mes deputetëve dhe stafit të institucionit. Sipas Manjës, Shehaj e mori dokumentin dhe e nxori jashtë sallës ku ishte vendosur të konsultohej, ndërsa më pas ndodhi incidenti me punonjësen e Kuvendit, e cila u rrëzua teksa e ndiqte.
“Rasti i Agron Shehajt është i përsëritur. Në vlerësimin tonë, rasti i djeshëm u vendos me votim 4 me 3, ku vendimtare ishte vota e sekretarit. Në Sekretariat jemi me numër të barabartë anëtarësh, 3 nga mazhoranca dhe 3 nga opozita, por vota e sekretarit, që në rastin konkret jam unë, e çoi rezultatin në 4-3. Rasti i djeshëm nuk ka ndodhur më parë, pasi u tejkalua vija e respektit reciprok mes deputetëve dhe stafit, i cili na mundëson të ushtrojmë funksionet tona si deputetë.
Ishte shumë i qartë deklarimi i kryetarit të Kuvendit dje që dokumenti është konfidencial. Deputetët ftohen ta lexojnë sipas rregullave të përcaktuara në sallën “Gerti Bogdani”. Secili prej deputetëve kundrejt nënshkrimit të deklaratës së konfidencialitetit e merr atë dokument, ulet dhe e lexon në atë sallë.
Zoti Shehaj e pa të gjithë publikisht, e mori dokumentin, e nxori jashtë sallës Gerti Bogdani, por përsëri brenda mjediseve të Kuvendit. Ama deklarimi publik i kryetarit të Kuvendit ishte që kjo marrëveshje do të lexohet në sallën
Gerti Bogdani. Pastaj i keni parë të gjitha ato pamje sepse ka një lidhje shkak pasojë. Të gjitha ato pamje të rënda që mua s’më mbetet gjë tjetër vetëm se t’i uroj të punonjëses tonë, këshilltares tonë që dje u lëndua nga ky veprim shërim sa më të shpejtë dhe uroj që kjo të mos ndodhë më rast të jetë rasti i parë dhe i fundit ku shkelet kjo vijë respekti”, tha ai.
Sa i pëket referimit në SPAK, Manja tha se elementët e veprës penale nuk janë kompetencë e këtij komisioni dhe se do të jetë vetë Partia Socialiste që do ta depozitojë në SPAK kallëzimin për kreun e Partisë Mundësia.
“Elementët e veprës penale nuk janë nëse elementët e veprës penale nuk janë në tagrin e këtij sekretariati jeni pjesë e grupit parlamentar të socialiste dhe keni ata i takojnë hetimit. Në dijeninë time do të ketë një referim të kallëzimit ndaj deputetit Agron Shehaj në organet e hetimit dhe të ndjekjes penale dhe të gjitha elementet e tjerë që kanë të bëjnë me shkeljen e ë konfidencialitetit, me nxjerrjen e dokumentit jashtë asaj salle ku u përcaktua publikisht nga kryetari i Kuvendit për t’u lexuar, por edhe me veprimet që pasuan pastaj nxjerrjen e këtij dokumenti i takon organit të hetimit që t’i zbardhe.
Sekretariati e konsideron të mbyllur punën me këtë masë disiplinore e cila duhet të theksohet që hy në fuqi dhe do t’i shtrijë efektet e veta me rifillimin e sesionit parlamentar të vjeshtës.”, tha Manja.
Në mbledhjen e kësaj të marte, Sekretariati i Etikës vendosi përjashtimin e deputetit Agron Shehaj për 60 ditë nga pjesëmarrja në komisionet parlamentare dhe seancat plenare. Mësohet se masa disiplinore do të hyjë në fuqi në muajin shtator.
Vendimi është marrë këtë të martë, vetëm një ditë pas incidentit, dhe pas kërkesës së Partisë Socialiste që kërkoi marrjen e një mase disiplinore ndaj deputetit Agron Shehaj, pas publikimit të videos ku ai shfaqet duke marrë një kopje të marrëveshjes së huasë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes.
Incidenti në Kuvend me Shehaj-Çfarë ndodhi?
Teksa në Kuvend zhvillohej seanca plenare, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, mori kopjen e vetme të marrëveshjes me SHBA për pajisjet ushtarake dhe është larguar me vrap për ta lexuar. Në pamjet e bëra publike, Shehaj shihet duke u larguar me nxitim teksa pas tij e ndjek këshilltarja, e cila në nxitim e sipër, rrëzohet nga shkallët.
Ndërkohë, rreth orës 15:00, në një seancë me dyer të mbyllura, Kuvendi miratoi me 74 votat e Partisë Socialiste marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara për blerjen e pajisjeve ushtarake





