Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se Irani duhet “të bëhet i zgjuar së shpejti”, pas një propozimi nga Teherani që do të shtynte një marrëveshje për programin bërthamor iranian.
“Irani nuk po arrin të rregullojë punët e veta,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social të mërkurën. “Ata nuk dinë si të nënshkruajnë një marrëveshje jo-bërthamore. Më mirë të bëhen të zgjuar shpejt!”
Presidentin amerikan publikoi gjithashtu një foto të gjeneruar me inteligjencë artificiale ku shihej vetë duke mbajtur një pushkë sulmi, ndërsa pas tij shpërthime bombash ndodhnin në një zonë malore. Në imazh shkruhej: “NO MORE MR. NICE GUY!”(S’ka më djalë të mirë!”).
Këto kërcënime të reja vijnë në një moment pasigurie rreth armëpushimit të brishtë SHBA–Iran, disa ditë pasi presidenti anuloi raundin e fundit të bisedimeve me Teheranin.
Edhe pse Uashingtoni tha se po shqyrtonte propozimin iranian, reagimi i parë ishte i ftohtë, ndërsa Shtëpia e Bardhë theksoi se Trump “nuk do të nxitohet drejt një marrëveshjeje të keqe” dhe se “Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore”.
Studiuesi i sigurisë ndërkombëtare në King’s College London, Rob Geist Pinfold, tha për Al Jazeera-n se “nuk jemi më në fazën e një lufte fizike”, por SHBA-të dhe Irani ndodhen në një fazë “konkurrence të ashpër”.
“Të dyja palët po përpiqen t’i tregojnë njëra-tjetrës se janë më të qëndrueshme dhe se koha është në anën e tyre,” tha ai.
Sipas tij, propozimi i Teheranit synon të shtyjë zgjidhjen e çështjeve të vështira, duke i dhënë përparësi përfundimit të luftës dhe rihapjes së Ngushticës së Hormuzit.
Megjithatë, kjo qasje “nuk funksionon për amerikanët, sepse ata mendojnë se nëse heqin dorë nga levat e presionit, lufta mund të rifillojë”, shtoi ai.
Ndërkohë, SHBA-të kanë rritur presionin ekonomik ndaj Iranit.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se janë shënjestruar rrjetet financiare dhe të fshehta të Iranit, përfshirë bankat e fshehta, kriptovalutat, flotën e fshehtë dhe rrjetet e prokurimit të armëve.
Sipas tij, këto masa kanë “ndërprerë dhjetëra miliarda dollarë të ardhura” dhe kanë ndikuar në zhvlerësimin e shpejtë të monedhës iraniane.
Riali iranian ka rënë në një nivel rekord kundrejt dollarit amerikan, duke humbur rreth 6% të vlerës që nga fillimi i luftës.
Ndërkohë, autoritetet iraniane kanë intensifikuar arrestimet dhe ndjekjet penale ndaj protestuesve dhe disidentëve.
Sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, të paktën 21 persona janë ekzekutuar dhe mbi 4 mijë janë arrestuar që nga fillimi i konfliktit.
OKB thotë se shumë prej të arrestuarve janë zhdukur, janë torturuar ose janë përballur me trajtime të paligjshme.
Ligji i ri iranian për spiunazhin i jep autoriteteve mundësinë të ekzekutojnë dhe të konfiskojnë pasurinë e personave të akuzuar për bashkëpunim me “shtete dhe grupe armiqësore”.





