Karlos Martinez do të largohet nga Partizanit. “Panorama Sport” mëson se palët ndajnë rrugët në përfundim të këtij sezoni, pasi nuk është preferuar aktivizimi i opsionit për rinovimin e kontratës.

27-vjeçari nga Kosta Rika e kishte eksperiencën e parë në Europë. Dëmtimet ishin një penalizim për mbrojtësin e krahut të djathtë, i cili po ashtu u operua dhe e mbylli sezonin jashtë fushës së blertë.
Partizani shfaq situatë delikate për repartin në fjalë. Vetëm Marjus Kola është aktualisht i gatshëm në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Dhe pse për Albion Markun është aktivizuar opsioni i rinovimit, i duhen edhe disa muaj kohë për rikuperimin e plotë. Nuk përjashtohet mundësia që të afrohet një tjetër mbrojtës i djathtë për edicionin e ri.
Amos Nondi dhe Vusal Isgandarli ishin dy lojtarët e tjerë për të cilët po ashtu nuk u preferua rinovimi i kontratës. Rinovimet ndërkohë erdhën nga Atanaskoski dhe dy të dëmtuarit, Preka edhe Marku.





