Në Gjykatën e Posaçme u mbajt sot seanca e radhës në themel ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, nuk u paraqitur sërish në seancë, pasi refuzon të qëndrojë në kafazin e qelqtë. Veliaj u përfaqësua nga avokati Plarent Ndreca.
Ndërkohë bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, pas lindjes së fëmijës kërkoi shtyrjen e seancës së sotme dhe pezullimin e shqyrtimit gjyqësor me 63 ditë sipas raportit shëndetësor. Veliaj dhe Xoxa u bënë prindër për herë të dytë më 29 qershor. SPAK e kundërshtoi kërkesën e Xoxës, duke kërkuar nga gjykata të ndajë çështjen në ngarkim të të pandehurës Ajola Xoxa nga të pandehurit e tjerë dhe të vazhdojë shqyrtimi.
Pasi u tërhoq për vendim, GJKKO rrëzoi kërkesën e Xoxës për pezullimin e shqyrtimit gjyqësor me 2 muaj dhe vendosi shtyrjen e seancës për sot, për t’i dhënë mundësi që të jetë e pranishme në proces.
“Gjykata pasi shqyrtoi kërkesën e Ajola Xoxës, konstaton se e pandehura, që nga paraqitja e kërkesës për gjykim, gjatë shqyrtimit në themel dhe para këtij trupi gjykues, nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë dhe është përfaqësuar nga avokatët. Nga ana tjetër, gjykata konstaton se provohet se Xoxa ka sjellë në jetë një fëmijë me lindje me operacion. Për t’i dhënë mundësinë reale që të jetë e pranishme në proces, gjykata vendos të shtyjë seancën dhe rrëzon kërkesën për pezullimin e gjykimit. Nisur nga fakti se është paraqitur vetëm raporti i barrëlindjes, i cili nuk përbën raport paaftësie për punë, gjykata vendos të pezullojë afatet për të paraburgosurit nga kjo seancë deri në seancën e ardhshme, e cila do të zhvillohet më 21 korrik, në orën 10:00,“-u shpreh Gjykata.
Diskutimet në seancë:
Avokati i Ajola Xoxës, Gurali Brahimllari: E pandehura ka shprehur qëndrimin e saj pasi bën prezent faktin se në 29 qershor ka kryer lindje me cezarian dhe për këtë arsye nuk mundet të komunikojë lirshëm. Për këtë arsye kërkon shtyrjen e seancës referuar Kushtetutës për të drejtën e nënës dhe për shkak të rrethanave objektive referuar edhe kodit të punës, ligjit për sigurimet shoqërorë ku flitet për leje lindjeje prej 63 ditësh.
Ajola Xoxa ka shkruar një deklaratë që e lexon avokati i saj: Unë kërkoj të jem vetë e pranishme dhe kërkoj pezullimin e shqyrtimit deri sa të përfundoj lejen prej 63 ditësh që ma garanton ligji.
SPAK: Nga ana e avokatit të të pandehurës u kërkua pezullim i shqyrtimit gjyqësor deri sa të përfundojë leja. Kodi i procedurës penale nuk e njeh pezullimin për këto shkaqe. Por nga ana tjetër e pandehura shpreh dëshirën të paraqitet vetë. Është fakt që seanca ka nisur në shtator dhe e pa dehura nuk është paraqitur në asnjë seancë të vetme. Nëse gjykata e çmon të arsyeshme le të ndajë çështjen në ngarkim të të pandehurës Ajola Xoxa nga të pandehurit e tjerë.
Avokati i Xoxës, Gurali Brahimllari: Presim që gjykata të shprehet. Vetë dispozita e lejoj pezullimin e gjykimit, ka mjaft raste për-shembull kur caktohet një ekspert apo kur i pandehuri ka probleme shëndetësore pezullohet shqyrtimi gjyqësor. Në rastin e nënës qe ka lindur me prerje cezariane, derisa ajo është me raport mjekësor si për çdo nënë që lind kështu, ligji e kërkon që të shtyhet seanca dhe të pezullohet gjykimi. Nëse gjykata mendon ta ndajë çështjen nga të tjerët mendojmë qe s’di ketë ekonomi gjyqësore.
Avokati Maks Haxhia: Për ta saktësuar ne kërkojmë pezullim të të gjithë procesit derisa të përfundojë leja e Xoxës.
Avokati Gurali Brahimllari: Nëse gjykata vlerëson ta ndajë çështjen, le ta ndajë, por synimi ynë është garantimi i një mbrojtjeje efektive. Ajo është në bashkëpunim me bashkëshortin dhe të pandehurit e tjerë, ndaj çështja nuk mund të ndahet. Megjithatë, vendimin e ka gjykata.
Ndërkohë Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Lartë lidhur me paraburgimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim. Sipas vendimit, Gjykata e Lartë nuk ka kryer një vlerësim të plotë kushtetues mbi nevojën dhe proporcionalitetin e vazhdimit të masës së paraburgimit, nuk ka shqyrtuar alternativat më pak kufizuese dhe as pasojat që kjo masë sjell për ushtrimin e mandatit të një të zgjedhuri vendor.





