Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndryshime ligjore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Ashtu si ZËRIparalajmëroi ndërhyrja ligjore do të kërkohet për nenin 242, paragrafi 2, të Kodit të Procedurës Penale, i cili u garanton imunitetin të zgjedhurve, ku të specifikohet edhe për ministrin.
Neni 242 – Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik
Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.
Lidhur me këtë lëvizje, gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, nga burime brenda mazhorancës socialiste, mësoi detajet se si do të avancohet me këtë ndërhyrje ligjore. Ndryshimet si duket nuk do të prekin vetëm ministrat por edhe zyrtarë të tjerë. Ndryshimet e pritshme të këtij neni parashikojnë moslejimin e pezullimit nga detyra të të gjithë funksionarëve, funksionet e të cilëve burojnë nga kushtetuta.
“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë”.





