Pak ditë më parë, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit miratoi formatin e ri të “Abissnet Superiores”, duke filluar nga sezoni i ardhshëm 2026/27. Së fundmi, vetë FSHF-ja ka dalë me një postim orientues në rrjetet sociale, ku shpjegon edhe mënyrën se si do të funksionojë kjo “formulë” e re për 10 ekipet pjesëmarrëse.
Fillimisht, këto 10 skuadra do të garojnë në 27 javë kampionat ku do të ketë 3 faza të rregullta, ndërsa pas javës së 27, këto skuadra do të ndahen në dy grupe.
Pikët që do të marrë secila prej tyre do të përgjysmohen dhe skuadrat që do të ndodhen në 6 vendet e para do të luajnë fazën e play-off në një sistem vajtje-ardhje prej 10 javësh dhe ajo që do të renditet e para në këtë klasifikim do të shpallet edhe kampione e Shqipërisë.
Sa i takon vendeve nga ai i 7-ti e deri tek ai i 10-ti, do të sfidohen mes njëra-tjetrës në play-out ku do të luhen 9 javë me të njëjtin sistem. Në këtë rast, skuadra që përfundon e fundit do të përfundojë një kategori më poshtë, pra në të Parën.
Rreth kësaj të fundit, FSHF tregon edhe mënyrën se si do të ngjiten në elitë në sezonin 2027/28. Dy skuadrat që do të përfundojnë në dy vendet e para do të sigurojnë edhe ngjitjen në Superiore, ndërsa për poziconin e tretë do të ndiqet kjo rrugë.
Vendi i 3-të do të sfidojë atë të 6-tin, ndërsa ai i 4-tët do të sfidojë të 5-tin dhe fituesi i këtyre çifteve do të përcaktojë edhe skuadrën që do të ngjitet si e treta në këtë finale.
Në lidhje me ndryshimet që do të ndodhin në sezonin pasardhës, sqarohet se kampionati, siç edhe është lajmëruar do të zgjerohet në 12 skuadra dhe ku do të luhen 22 javë të rregullta. 6 ekipet e para do të luajnë play-off për Europën dhe titullin, ndërsa 6 të fundit do të luftojnë për qëndrimin në elitë. Në këtë rast, dy skuadrat që marrin më pak pikë do të përfundojnë në Kategorinë e Parë.





