Deputeti i PS, Erion Braçe i vlerëson si “kthim në epokën e gurit” propozimet e grupit organizator të protestës për krijimin e një qeverie teknike 12 mujore dhe ndërhyrje të rëndësishme kushtetuese, përfshirë edhe kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate.
Në një intervistë për Report TV, Braçe thotë se qeveria nuk ka asnjë arsye të dorëhiqet, pasi ka marrë votëbesimin e 800 mijë shqiptarëve në zgjedhjet e 11 majit 2025.
“Çfarë është racionale duhet dëgjuar, çfarë lidhet me mirëqeverisjen duhet dëgjuar dhe duhet ndërtuar një plan B për të përmirësuar gjërat, në shërbimin për qytetarët. Çfarë është irracionale, që na kthen në epokën e gurit, natyrisht që nuk duhet dëgjuar. Ne kemi dalë nga zgjedhjet 1 vit e një muaj më parë, s’kemi mbushur ushtrimin e mandatit të një viti. Ballafaqimi me njerëzit është proces elektoral. Gjithkush që thotë jep dorëheqjen, largohu, duhet t’i referohet rendit kushtetues në Republikën e Shqipërisë. Kjo historia që këta kanë humbur një palë zgjedhje dhe thonë që mazhoranca është e delegjetimuar, ne jemi në shesh dhe ky shesh do të zgjedhë me short 121 përfaqësues, dhe këta do zgjedhin 21 anëtarë qeverie dhe ata që janë në kuvend duhet t’i votojnë këta, në cilin rend kushtetues jemi? Çfarë është kjo nevojë për t’u kthyer 1 mijë vite e kusur pas? Vendi ka institucione legjitime. Zgjedhjet janë njohur botërisht. Qeveria ulet në tavolinën e NATO-s. Është një qeveri që po negocion me BE për procesin e anëtarësimit dhe në harkun e 1 viti duhet të mbyllim të gjithë kapitujt”, tha Braçe.
Ai shtoi se pas protestës qëndrojnë influenca të huaja, edhe armiqësore me Shqipërinë, që synojnë destabilizimin e vendit.
“Atje ka ndërhyrje të huaja. Po destabilzimi i Shqipërisë nuk është i një fshati, është shumë më gjerë. Është vend i NATO-s, po shkon drejt BE-së. Ballkani i destabilizuar është element kyç i politikave të vendeve jo miqësore me Shqipërinë”, tha Braçe.
Ai mendon se Marjana Koçekut nuk i takon të flasë dhe as të kritikojë PS sepse nuk e njeh dhe nuk ka dhënë asnjë kontribut, pasi u zgjodh deputete nga lista e mbyllur.
“Zonjusha tjetër duhet të përmbahet kur flet për PS-në. E para, sepse nuk e njeh; e dyta, nuk di asgjë për të, nuk ka kontribuar asgjë në atë parti dhe ka marrë një mandat nga lista e mbyllur e partisë. Prandaj, duhet të jetë më modeste. Është tjetër njeri ajo që kam folur në Kuvend dhe një tjetër ai që po shohim tani. Janë dy njerëz të ndryshëm dhe duhet t’ia kursejë vetes të flasë për PS-në”, tha ai.





