Ilir Meta ka larguar nga mbrojtja e tij avokatin Kujtim Cakrani, ndërsa ende nuk ka njoftuar se kush do të jetë avokati i ri.
Burime pranë paraburgimit 313 pohuan për gazetaren e Top Channel Anila Hoxhën se ditët e fundit pranë këtyre ambienteve është paraqitur për ta takuar Ilir Metën avokati Bujar Musta.
Një burim pranë 313 pohoi se Musta ka paraqitur gjatë këtyre takimeve një prokurë përfaqësimi për Metën, por shton se nuk dihet ende “nëse avokati Musta do të jetë avokat i Metës në gjykimin e themelit apo në Strasburg”.
Kjo mbetet për tu parë në datën 9 korrik, në seancën e radhës në GJKKO.
Ndërkohë zëdhënësja e presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli, në lidhje me ndërprerjen e përfaqësimit ligjor me Kujtim Cakrani, ka dhënë një sqarim të shkurtër.
“Presidenti i Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta ka bërë komunikimin procedurial ezaurues dhe shterues në lidhje me marrëdhënien e deritanishme. Çdo sqarim tjetër është i tepërt”, tha ajo.





