“Më quajnë tradhtar e sigurims”, Spaho shpërthen ndaj demokratëve: Rama nuk ikën se e duan flamingot!

Ish-deputeti Edmond Spaho ka reaguar në rrjetet sociale ndaj komenteve negative e fyese kundrejt tij pas deklaratës ku i thoshte kryeministrit Rama të mos dorëhiqej.

Duke i kthyer përgjigje një “miku” me emrin Ermir Armin, Spaho shkruan se “Rama nuk e lëshon pushtetin se duan flamingot” pasi “pushteti merret me votë.” Më tej, u drejtohet militantëve të PD duke i quajtur të paaftë për ta arritur këtë synim.

“Të paaftë për të marrë pushtetin me votë, militantët e PD, më lëshohen mua, sikur unë po ju heq mundësinë të rikthehen në pushtet. O zot përse kjo parti është bërë kaq komike?”, thotë Spaho.

Ish-deputeti pyet komentuesin cilat vjedhje i ka bërë, madje shpreh gatishmërinë “t’ia kthejë të gjitha.” Ai shprehet se s’ka synim të ruajë asnjë karrige sepse ka hequr dorë nga politika, teksa pyet çfarë do t’i mbetej Ermir Arminit nëse nuk do të kishte rrjete sociale ku të zbrazej. Në fund, i drejton edhe një pyetje: “Sa herë e ke votuar Ramën?”

“Çfarë më kënaq më shumë në fb kur bëj postime, është lukunia e sharësve profesionistë, idiotëve, trushkulurve, militantëve me diarre nga goja, të ashtuquajturit intelektualë, të cilët pretendojnë që të njohin me dhëmbë e dhëmballë dhe japin hazër xhevap cilësimin për ty.
Më bëri përshtypje një mik imi i cili përdori në fb një fjalor jashtëzakonisht vulgar, sepse u ndje keq ngaqë i thashë Ramës mos u dorëhiq ngaqë duan flamingot që kanë dalë në bulevard.
Po edhe nëse ti e bën dhëmbin sa gishti, Rama nuk ta lëshon pushtetin se duan flamingot, mor i shkretë.

Pushteti merret me votë. Të paaftë për të marrë pushtetin me votë, militantët e PD, më lëshohen mua, sikur unë po ju heq mundësinë të rikthehen në pushtet. O zot përse kjo parti është bërë kaq komike?

Në të vërtetë po shkruaj për një takëm tjetër, që as më njohin e as i njoh. Ata me lehtësinë më të madhe që u jep fb, të thonë hajdut, tradhtar, agjent 35 vjeçar i Ramës që po kërkon karrige prej tij, sigurims, na ke rrjepur 20 vjet duke marrë rrogën e deputetit, tqr, ropt ku t’i kesh, çfarë të mban pragu i shtëpisë, etj. etj.

Një përfaqësuesi të tillë që as më njeh e as e njoh, anonim në të dhënat e tij, por pak më i moderuar se sharesat e ndyrë dhe që përpiqej të “argumentonte” çfarë plehrë jam unë, i dhashë përgjigjen e mëposhtme:

Ermir Armin mos lexo vetëm titullin si ajo intelektualja-ish zyrtare e Edi Ramës, që dikur qante për të dhe sot revoltohet e shpreson që do i rikthehen ditët e arta të pushtetit si anëtare e Asamblesë së 500 Petritave të Republikës së Re. Të lutem mos përto, avash avash zbrit pak më poshtë e lexo ca rreshta më shumë. Më pas vër mendjen, qoftë edhe pak në punë, që të kuptosh se çfarë kam thënë. Po nuk e vrave pak mendjen, kupton vetëm mendjen tënde Ermir.
Ato çfarë kam vjedhur e xhvatur ti i di më mirë se unë, sepse nuk më njeh fare. Më shumë nga të tjerët duhet të kem vjedhur ty, sepse shfaqesh shumë i revoltuar. Më thuaj çfarë të kam vjedhur, sepse jam hajdut me ndërgjegje dhe do t’i kthej të gjitha.

E bën për të vazhduar të rrish në karrige më the. Po në çfarë karrige dua unë të vazhdoj të rri more i shkretë? Unë kam dhënë dorëheqje dhe kam dalë në pension dhe nuk kthehem më në çfarëdolloj funksioni në politikë sepse kam shpëtuar. Ermir pyete veten se çfarë do ishe ti po të mos kishe fb? Si do jetoje ti pa zbrazur vrerin, inatin, xhelozinë, smirën të cilat sot të japin energjinë të shash sa mbarë prapë dhe të na premtosh Shqipërinë e Re me udhëheqës kokëboshë dhe të vjetër në mendime.

Aman më shuaj një kuriozitet, veç përgjigju drejt, mos më dredho: sa herë e ke votuar Edi Ramën? Nuk e vë dorën në zjarr që e ke votuar në të gjitha zgjedhjet që janë bërë, por ca herë së fundi e ke votuar. Të fala të gjithë atyre në këtë faqe që më shajnë, më ofendojnë, më mallkojnë, më sh.erdhejnë  tërë ropt e shtëpisë ngaqë nuk kanë mundësi tjetër si ta zbrazin vrerin dhe instiktet kafshërore, përveçse në fb.

Edhe unë ju uroj cilit do të këtij takëmi, t’ju ndodhin të njëjtat gjëra në familjet e tyre, si ato që më kanë uruar mua. Sidomos ajo shprehja kombëtare shqiptare TQR. Ju siguroj që ekzekutuesi i urimeve nuk do jem unë. Tung Ermir, përpiqu të punosh sepse fb nuk të jep bukë. Mos më shih mua se unë pensionist jam”, shkruan Spaho.

Lajme të tjera |  Këta nuk duan reformë, këta duan pushtet

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us