Rikthehet shtrenjtimi i naftës, çmimi arrin 188 lekë për litër

Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka sjellë sërish rritje të çmimeve të karburanteve edhe për tregun vendas.

Në pikat e karburantit në Tiranë, çmimi i naftës ka arritur në 188 lekë për litër, nga 176 lekë për litër që ishte në mesin e muajit qershor, kur qeveria vendosi ndërprerjen e funksionimit të Bordit të Transparencës për monitorimin e çmimeve të karburanteve. Çmimi i naftës është shtrenjtuar me 12 lekë për litër.

Edhe benzina ka pësuar rritje, duke u tregtuar me 184 lekë për litër, nga 166 lekë për litër që ishte çmimi i vendosur me vendimin e fundit të Bordit të Transparencës. Rritja me 18 lekë për litër.

Përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme ka rikthyer shqetësimet për furnizimin global me naftë, duke shtuar rrezikun në tregjet ndërkombëtare. Si pasojë, çmimi i naftës Brent Crude ditën e sotme ka arritur 76 USD për fuçi, nga 71 USD për fuçi që ishte në fillim të javës.

Në mesin e muajit qershor, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, njoftoi vendimin e qeverisë për ndërprerjen e funksionimit të Bordit të Transparencës, me argumentin se çmimet e karburanteve kishin qenë në rënie për dy javë radhazi.

Lajme të tjera |  "Rilindja Urbane 2.0", Rama prezanton programin: Investim prej 1.5 miliardë euro

Bordi i Transparencës u krijua më 23 mars 2026, në kulmin e krizës së çmimeve të karburanteve pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme. Me vendimin e tij të parë, çmimi i naftës u ul nga 214 lekë në 203 lekë për litër. Megjithatë, pas kundërshtimeve të importuesve, të cilët paralajmëruan ndërprerje të furnizimit, vetëm dy ditë më vonë Bordi e rriti çmimin në 218 lekë për litër.

Përveç krijimit të Bordit, qeveria ndërhyri edhe me një akt normativ që parashikonte uljen e akcizës me 20%, në rastet kur çmimi i naftës kalonte 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër.

Sipas ministrit të Financave, Petrit Malaj, kjo masë është zbatuar vetëm dy herë, me një efekt financiar prej rreth 37 mln lekësh, ose afërsisht 390 mijë euro.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us