Ish-mbrojtësi Eni Imami, në një prononcim të fundit për podkastin “Klas Botëror”, ka treguar gabimin e madh që ka bërë në karrierë. Edhe pse 33-vjeçari e fitoi 3 herë Superioren me klube të ndryshme, konkretisht te Dinamo, Kukësi dhe Tirana, ai ende vazhdon të ketë nostalgji për Vllazninë.
“Më bëhet qejfi për Vllazninë. Ishallah të kualifikohet dhe të shkoj sa më lart në Kupat e Europës. Është një skuadër që unë kam kaluar shumë mirë. Jam bërë pishman që kam ikur.
Pas largimit nga Vllaznia, sikur Zoti më bëri ters. Aty isha mbret, njerëzit më donin, unë i doja njerëzit. Qytetin e doja, çdo gjë perfekte.
Ishte atë vit që Dinamo u ngjit në elitë. Po vija në shtëpin time, pavarësisht se në Shkodër ndihesha si në shtëpin time. Unë ashtu e ndjeva, ashtu e mendova, pavarësisht se pastaj doli skarco në aspektin personal dhe atë profesional.
Pavarësisht investimit të madh, ne ramë nga elita. Pastaj ngeca te Dinamo dhe luajta në Kategorinë e Parë”, u shpreh Imami.





