Deputetja Marjana Koçeku, e cila u largua nga PS, ka komentuar dokumentin strategjik “BESA”, që kryeministri Edi Rama prezantoi ditën e djeshme përpara anëtarëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialistëve dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar.
Duke thumbuar hapur socialistët, Koçeku në një postim në Facebook, shkruan se ka disa njerëz që flasin për besën dhe nuk e dinë se çfarë është. Sipas deputetes, besa është një kontratë e pashkruar mes njerëzish dhe është kontratë natyrore.
“T’parët tanë nuk kanë qenë të mangët kur fjalën dhe besën e dhanë e lidhnin me tokën, lugun, malin e gurin. Këto nuk kanë qenë thjesht dekori i besës, por dëshmitarët e saj, vetë substanca e saj. E kanë ditë se njeriu nuk mundet me i dhanë besë tjetrit, tue ia pre besën vendit ku jeton”, shkruan ajo.
Ndërsa më tej ajo thekson se besa sipas zakoneve kanunore lidhet në vendet si kisha dhe kullat, për shkak të lidhjes shpirtërore që kanë këto ndërtesa.
Postimi i plotë:
Flasin për besën njerëz që nuk ia kanë idenë çka asht besa.
Së pari, besa asht nji kontratë e pashkrueme mes njerëzish, e tu qenë e pashkrueme, ajo asht kontratë thellësisht natyrore.
T’parët tanë nuk kanë qenë të mangët kur fjalën dhe besën e dhanë e lidhnin me tokën, lugun, malin e gurin. Këto nuk kanë qenë thjesht dekori i besës, por dëshmitarët e saj, vetë substanca e saj. E kanë ditë se njeriu nuk mundet me i dhanë besë tjetrit, tue ia pre besën vendit ku jeton.
Së dyti, ata që e shohin tokën veç si truall për kulla shumëkatshe e resorte, zor se munden me e kuptu këtë koncept që për ne malsorët asht jashtë mase i shenjtë. Prandaj nuk e shesim ne tokën dhe kullën.
Sigurisht, besa mund të jepet edhe nëpër kulla luksoze e resorte, por nuk asht ma besë. Se këtë lloj bese deri tash e kemi pa kryesisht veç nëpër filmat me mafiozë dhe spekulantë financiarë. Dihet sesi përfundojnë.
Së treti, unë e di mirë prej kodit të malësisë nga vij se, edhe kur gjaksit apo njerëzit e krimit, kur duen me i mbyllë problemet e tyne, përveç ligjit, kudo që ndodhen nëpër botë, edhe pse mund të kenë ndërtue kulla luksoze apo jetojnë në resorte, janë të detyruem me ardhë e me e lyp besën te kulla e vjetër e të parëve, te logu apo te kisha e vjetër e fshatit.
Pse? Sepse aty asht lidhja e vjetër shpirtnore të cilën ata e kanë humbë. Vetëm aty kanë mundësinë me u kthy edhe njiherë njerëz.
Prandaj, njerëzve që e humbin lidhjen me tokën, vendin e tyne dhe natyrën, nuk mund t’u zihet besë!





