Ish-ministri socialist: Rama nuk ka çfarë të bëjë më, është i vdekur politikisht. Ka urrejtje popullore ndaj keqqeverisjes së tij

Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, mendon se kryeministri Rama e ka humbur betejën me protestuesit, pavarësisht dokumentit strategjik që prezantoi të premten, të pagëzuar me emrin “Besa”.

“Vetë këta qeveritarë duhet të reflektojnë. Po si mund të reagojë administrata publike vetëm kur ka protesta? Ata janë qytetarë të këtij vendi. Ata preken po aq sa çdo qytetar tjetër nga keqqeverisja. Të vetmit që nuk shqetësohen janë patronazhistët, ata që kanë mbyllur sytë përballë abuzimeve dhe që përfitojnë nga vjedhja e pandërprerë.

Tani Ramës i është kujtuar të përmendë administratën kaq të frikësuar. Sipas mendimit tim, ai duhej ta kishte reformuar dhe riorganizuar atë shumë kohë më parë, në mënyrë ligjore dhe të rregullt”, tha Malaj për A2.

Sipas Malajat, Rama nuk ka çfarë të bëjë më.

“Nga pikëpamja njerëzore, nuk kam asgjë personale me të, por nga pikëpamja politike, duke përdorur metaforën që përdoret shpesh në politikë, Rama është i vdekur politikisht. Ai ka arritur pikën më të ulët të marrëdhënies me opinionin publik”, tha Malaj.

Lajme të tjera |  Marjana Koçeku thumbon Edi Ramën: Flasin për besën njerëz që nuk ia kanë idenë çfarë është besa

“Le ta lëmë mënjanë opinionin publik. Mjafton të shohim median ndërkombëtare, e cila analizon zhvillimet në Shqipëri.

Në mënyrë pothuajse të unifikuar, media franceze, mediat amerikane, mediat e vendeve fqinje, si edhe ato të vendeve të rëndësishme të Bashkimit Europian, përfshirë median gjermane, e paraqesin situatën në Shqipëri si një “Flamingot që ndezën zjarrin”. Por zjarri i vërtetë është urrejtja popullore ndaj keqqeverisjes”, shtoi ai.

“Këtë situatë Rama nuk mund ta menaxhojë. Nuk mund ta shuajë zemërimin popullor përmes propagandës apo kontrollit politik. Madje, nëse shohim edhe reagimin e policisë gjatë protestave të fundit, ai ka qenë krejtësisht i papërshtatshëm”.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us