Një mjegull portokalli ka mbuluar Athinën, si pasojë e pluhurit saharian.
Sipas BBC, Greqia është goditur nga re të ngjashme në fund të marsit dhe fillim të prillit, të cilat mbuluan gjithashtu zona të Zvicrës dhe Francës jugore.

Cilësia e ajrit është përkeqësuar në shumë zona të vendit dhe mëngjesin e së mërkurës Akropoli në Athinë ishte thuajse i padukshëm për shkak të pluhurit. Reja ka arritur deri në veri deri në Selanik.
Qytetarëve me probleme të frymëmarrjes u është kërkuar të kufizojnë kohën që kalojnë jashtë, të mbajnë maska mbrojtëse dhe të shmangin ushtrimet fizike derisa retë e pluhurit të pastrohen.
Saharaja lëshon 60 deri në 200 milion ton pluhur mineral në vit. Shumica e pluhurit zbret shpejt në Tokë, por disa nga grimcat e vogla mund të përshkojnë distanca të mëdha, ndonjëherë duke arritur në Evropë.
Atmosfera veçanërisht në Greqinë jugore është bërë mbytëse për shkak të kombinimit të pluhurit dhe temperaturave të larta.





