Dinamo ka bërë goditjen e parë në merkaton e janarit, duke firmosur me një futbollist që di të shënojë gola. Kërkesa e Dajës për të pasur një sulmues me eksperiencë dhe që mund të bëjë ndryshimin në kampionat, tashmë është realizuar.
“Panorama Sport” ka mësuar se blutë kanë arritur marrëveshje për transferimin e sulmuesit liberian Peter Uillson, i cili së shpejti pritet t’i bashkohet skuadrës kryeqytetase, për t’u vënë menjëherë nën urdhrat e trajnerit Daja. Uillson është një golashënues i mirëfilltë, ose i njohur në gjuhën e futbollist si “pykë”, duke shtuar në këtë mënyrë konkurrencën te Dinamo. Në karrierën e tij si profesionist, Uillson është autori i 92 golave duke spikatur me disa skuadra ku ka luajtur deri më tani.
DETAJET- Klubi i Dinamos dhe sulmuesi liberian kanë arritur marrëveshje për transferimin e tij, teksa sulmuesi do të firmosë një kontratë që e mbanë të lidhur me skuadrën blu deri në verën e vitit 2027, pasi kontrata e re do të firmoset për një sezon e gjysmë. Gjithçka ka përfunduar sa i përket transferimit dhe vetëm nëse do të ketë ndonjë të papritur, ky transferim mund të stopohet.
KARRIERA- Uillson ka luajtur në kampionate të ndryshme si në Europë, ashtu edhe jashtë. Së fundmi, liberiani ishte pjesë e Oakland Ruts, skuadër që militon në Ligën e Dytë të futbollit në kampionatin amerikan. Me skuadrën e Oakland, Uillson ka bërë paraqitje të jashtëzakonshme, duke shënuar 18 gola dhe 5 asiste në 28 ndeshje të zhvilluara. Kampionati në Amerikë ka përfunduar në fundin e muajit tetor dhe prej rreth 3 muajsh, Uillson nuk ka luajtur megjithatë pritet të jetë në kondicion të mirë fizik dhe menjëherë mund të vihet në shërbim të Dajës për pjesën e mbetur të kampionatit. Në të shkuarën e tij, ai luajtur edhe me Sherif Tiraspolin, duke shënuar 7 gola në 15 sfida të zhvilluara. Uillson është një prodhim i futbollit suedez megjithëse është liberian me origjinë, ku fillimisht ka luajtur me akademinë e Sundsvall, para se të kalonte te skuadra e parë, aty ku në 98 ndeshje, ka realizuar 21 gola dhe ka dhënë 9 asiste të tjerë. Sakaq, Uillson ka provuar të luajë edhe në kampionatin polak ndërkohë që ka qenë pjesë e Suedisë U19, para se të vendoste për të luajtur për kombëtaren e Liberisë, ku ka 16 paraqitje dhe ka shënuar 2 gola.
POZICIONI I PREFERUAR– Uillson prej kohësh luan si sulmues qendre, megjithatë është fiks profili që trajneri Ilir Daja kërkon. Shpesh herë, trajneri i Dinamos improvizon me skuadrën dhe diçka e tillë duket e lehtë me Uillsonin pasi ai mund të bëjë shumë mirë edhe rolin e sulmuesit të krahut, ku në fakt alternativat në atë pozicion, te skuadra e Dinamos janë të shumta në të dyja krahët. Në karrierën e tij, Uillson ka luajtur disa herë edhe si mesfushor qendre, si edhe mesfushor krahu, duke plotësuar nevojat e skuadrës, madje edhe duke arritur të shënojë gola nga këto pozicione të “shpikura”.





