Hetimet për “sulmet me review”, Berisha: Fushatë e organizuar nga patronazhistët, Rama po ndjek hapat e Ajatollahëve

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar sot pas njoftimit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Skënder Hita, se do të hapet hetim për të githë ata që të cilët kanë lënë “review” negative në disa biznese.

Përmes rrjetetve sociale, kreu i opozitës akuzoi kryeministrin Edi Rama se përmes strukturave shtetërore për të kontrolluar veprimtarinë digjitale të protestuesve, duke mbrojtur kështu bizneset e personave që ai i quajti të afërt me pushtetin. Berisha në reagimin e tij akuzon Ramën se kjo fushatë është e organizuar nga patronazhistët për të sulmuar eksponentët dhe pjesëmarrësit e protestës.

Sipas tij qeveria po vepron njësoj si me rastin e mbylljes së platformës TikTok para fushatës zgjedhore 2025, duke bllokuar mijëra llogari online edhe kësaj radhe. Ai tha se Rama po ndjek shembullin e Ajatollahëve, duke bllikuar mundësinë që qytetarët të kenë kritikat e tyre në rrjetet sociale.

Kreu demokrat thekon se kjo lëvizje është sulm ndaj fjalës së lirë, teksa njoftoi se opozita do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për këtë rast.

Deklarata e Berishës:

I tmerruar nga uragani i protestës rinore e qytetare, i damkosur brenda dhe jashtë vendit, Edi Rama urdhëroi së fundmi narkopolicinë e tij dhe shërbimin informativ të policojnë veprimtarinë digjitale dhe rrjetet sociale të protestuesve, në fakt të mbarë qytetarëve. Kësaj radhe, kjo nuk po bëhet vetëm për sulmet e tyre ndaj Edi Ramës për të cilat ai është betuar si hakmarrës primitiv se “ata që më vijnë mbrapa, do të më kenë prapa”, por edhe për përshtypjet dhe komentet negative ndaj bizneseve të afërta me qeverinë.

Partia Demokratike konsideron të pacënueshme të drejtën e çdo qytetari për të shprehur përshtypjen e tij për çdo shërbim privat apo publik që merr dhe, në këtë kuadër, për klientin që ka marrë shërbimin nuk mund të ketë asnjë kufizim. Sikurse, PD konsideron të pacënueshme të drejtën e çdo qytetari për të shprehur mendimin dhe opinionin e tij në rrjetet sociale për çdo gjë dhe për cilindo.

Natyrisht, Partia Demokratike nuk pajtohet kurrë me përshtypje të rreme nga llogari false për shërbime që nuk janë marrë kurrë, të cilat synojnë të dëmtojnë konkurrencën e ndershme. Por, Partia Demokratike shpreh dyshimet e saj më serioze se këto përshtypje false negative janë akte të organizuara nga patronazhistët e qeverisë së tyre në funksion të qëllimeve të zeza represive censuriale të saja. Fakti që ky problem del pikërisht në kulmin e protestës rinore e qytetare, tregon qartë se:

Kjo fushatë gjoja kundër përshtypjesh të rreme negative është e organizuar nga narkoinstitucionet dhe patronazhistët për të sulmuar eksponentët dhe pjesëmarrësit e protestës; Nën pretekstin e identifikimit të autorëve të këtyre përshtypjeve negative, kërkohet të gjendet një shkak për të vendosur një policim të plotë, digjital dhe masiv të veprimtarisë online të qytetarëve; Edi Rama ka si qëllim kryesor kontrollin e komenteve të qytetarëve kundër tij dhe qeverisë së tij; Me policimin digjital, po përgatitet terreni që ashtu siç bëri me TikTok-un dhe duke ndjekur shembullin e Ajatollahëve të bllokohen mijëra llogari dhe, po qe e mundur, rrjetet sociale në tërësi.

Prandaj, Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe, si një atentat të rëndë ndaj fjalës së lirë, mendimit dhe shprehjes, vendimin e Edi Ramës për kontrollin dhe policimin e rrjeteve sociale të qytetarëve, si dhe të statuseve e komenteve të tyre në këto rrjete. Partia Demokratike do kerkojë komision hetimor parlamentar të kësaj veprimtarie antikushtetuese të narko-institucioneve të regjimit të Edi Ramës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, njoftoi një ditë më parë se deri më tani janë evidentuar rreth 10 mijë llogari të cilat se janë përdorur për të publikuar komente dhe vlerësime negative ndaj bizneseve në sektorin e turizmit.

Lajme të tjera |  Vala e të nxehtit, meteorologia: Javën e ardhshme termometri do të shënojë 40 gradë celcius! Pas 20 korrikut mot i paqendrueshëm

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us