Teksa vendi përballet prej 30 ditësh me protesta, deputeti i PS-së, Erion Braçe, ka shprehur sërish kritika për mënyrën se si po funksionon demokracia e brendshme në Partinë Socialiste, për të cilën tha se po çedon.
I ftuar në Report TV, Braçe tha se mungesa e funksionimit të demokracisë së brendshme në PS nuk është e shëndetshme as për vetë forcën politike dhe as për shoqërinë në tërësi.
“Unë mendoj se, në tërësinë e saj, si sistem, demokracia e brendshme e PS-së nuk funksionon. Siç kam thënë edhe më parë, proceset demokratike brenda PS-së, si zgjedhja me votën e çdo anëtari apo mundësia që anëtarët të zgjedhin se kush do t’i përfaqësojë dhe do t’i udhëheqë përpara elektoratit, janë zëvendësuar me njoftime, që herë janë në murin e Kryesisë, herë në murin e Grupit Parlamentar e kështu me radhë.
A është e shëndetshme kjo për shoqërinë? Jo, nuk është. Unë mendoj se demokracia e brendshme e një partie, qoftë kur është në pushtet, qoftë kur është në opozitë, është shumë më e shëndetshme sesa këto kufizime“, deklaroi Braçe.
Sa u përket kritikave të deputeteve Elisa Spiropali dhe Marjana Koçeku, Braçe vlerësoi ish-kryetaren e Kuvendit, për të cilën tha se ka një kontribut shumëvjeçar në Partinë Socialiste. Ndërsa për Koçekun, deputeti socialist nuk i kurseu kritikat, duke thënë se ajo duhet të tregojë më shumë përmbajtje kur flet për PS-në.
Braçe tha se “Neomalsorja” e mori mandatin pa kontribuar asgjë për Partinë Socialiste dhe, sipas tij, duhet të jetë më modeste në deklaratat e saj.
“Zonja Spiropali ka qenë anëtare e Kryesisë, ndërsa pas ndryshimeve të reja nuk është më, por është anëtare e Grupit Parlamentar dhe natyrisht që i takon të flasë për atë që nuk funksionon brenda partisë, pasi ka kontributin e saj.
Kurse zonjusha tjetër, unë mendoj se është e tepërt që t’i japë leksione Partisë Socialiste. Pra, zonjusha tjetër duhet të përmbahet kur flet për PS-në.
E para, sepse nuk e njeh; e dyta, nuk di asgjë për të, nuk ka kontribuar asgjë për PS-në dhe ka marrë një mandat nga lista e mbyllur e partisë. Prandaj duhet të jetë më modeste.
Është një njeri tjetër ajo që kam parë të flasë në Parlament dhe një tjetër ai që po shohim tani. Janë dy njerëz të ndryshëm dhe duhet t’ia kursejë vetes të flasë për PS-në“, tha ai.
Më tej, Braçe u shpreh se problemi që doli në pah pas largimit të Koçekut nga PS lidhet me sistemin e listave të mbyllura.
“Çfarë ju thashë? Se listat u bënë me garë apo me njoftim? U bënë me njoftim. T’i themi gjërat siç janë. Prandaj unë them se problemi qëndron te demokracia e brendshme e partive. Mund të kemi një sistem elektoral të mirë, por ai çedon te demokracia e brendshme e partisë“, shtoi ligjvënësi socialist.





