Pogradeci ka nisur ditën e djeshme përgatitjet zyrtare për sezonin e ri futbollistik. Objektivi mbetet i njëjti, ngjitja në elitën e futbollit shqiptar, “Abissnet Superiore”. Një objektiv të tillë e ka përmendur edhe vetë administratori i klubit liqenor, Kopi Gusho, i cili mbajti fjalën e tij para stafit teknik dhe lojtarëve.
“Këtë vit Pogradeci ka një objektiv madhor. Objektivi është vetëm një, futja e Pogradecit në Kategorinë Superiore. Rikthimin në mes të skuadrave më të mira, gjë që i takon këtij ekipi. Për këtë, stafi teknik ka përgatitur një program shumë ambicioz, të cilin jeni të detyruar ta zbatoni, pra po them të gjithë së bashku.
Nëse ne jemi korrektë me të gjithë këto kërkesa, do ta arrijmë objektivin që na ka vënë presidenti, t’ia shpërblejmë me ngjitjen në Kategorinë Superiore këtë vit. Falënderoj lojtarët e rinj që kanë ardhur, që pranuan të veshin fanellën e Pogradecit, e cila është një fanellë me emër në futbollin shqiptar”, tha Gusho.





