Trump: Hormuzi drejt hapjes, SHBA dhe Irani në prag marrëveshjeje historike. Por Teherani mohon negociatat

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Ngushtica e Hormuzit pritet të rihapet shumë shpejt, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që ajo të kontrollohet bashkërisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Irani.

Në një prononcim për CNN, Trump tha se rihapja e kësaj rruge strategjike detare varet nga ecuria e negociatave mes dy vendeve.

“Do të hapet shumë shpejt”, u shpreh ai, duke shtuar se, nëse bisedimet vazhdojnë pozitivisht, mund të arrihet një marrëveshje për kontroll të përbashkët.

“Do të kontrollohet bashkërisht… unë dhe ajatollahu, kushdo që të jetë ajatollahu i ardhshëm”, deklaroi Trump.

Presidenti amerikan foli gjithashtu për zhvillimet politike në Iran, duke sugjeruar se një ndryshim i regjimit është tashmë në proces.

Lajme të tjera |  Kur karma është vërtet "bitch"

“Do të ketë një formë shumë serioze të ndryshimit të regjimit… në një farë mënyre, ai tashmë ka ndodhur”, tha ai, duke iu referuar sulmeve që, sipas tij, kanë goditur drejtues të lartë iranianë.

Trump shtoi se bisedimet e zhvilluara gjatë fundjavës kanë dhënë sinjale pozitive për uljen e tensioneve.

“Po merremi me njerëz që i konsideroj shumë të arsyeshëm dhe të qëndrueshëm”, u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se brenda Iranit ka figura që mund të luajnë rol kyç në një marrëveshje të mundshme.

Irani insiston sërish: S’ka negociata me SHBA-të

Irani ka mohuar se ka zhvilluar negociata me Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se qëndrimet e tij nuk kanë ndryshuar. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, mesazhe janë shkëmbyer përmes vendeve të treta, por pa bisedime direkte.

Lajme të tjera |  Milot-Balldre drejt finalizimit! 4 kompani do të ndërtojnë 17 km rrugë dhe tunel 850 metra me vlerë 364.7 mln euro

Teherani ka paralajmëruar se çdo sulm ndaj infrastrukturës së tij jetike do të ketë pasoja serioze. Autoritetet iraniane theksojnë se do të përgjigjen menjëherë dhe në mënyrë vendimtare ndaj çdo kërcënimi.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us