Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, konkretisht protestën e qytetarëve në Tiranë, të cilët prej 31 ditësht janë shprehur kundër ndërtimeve në Zvërnec dhe kundër qeverisë. Klosi për Now me Erla Mëhillin tha se kryeministri Edi Rama nuk mund të negociojë kur ata i kërkojnë dorëheqjen.
Klosi u shpreh se kërkesa e vetme e bërë nga Edi Rama dhe qeveria ka qenë që të ulen për të biseduar dhe për të dëgjuar shqetësimet që protestuesit kanë, si edhe ato që lidhen me kërkesat ndaj qeverisë. Ai tha se kjo ka qenë e vetmja qasje e mazhorancës. Sipas sekretarit të përgjithshëm të PS, është e paqartë se si mund të ulet për të negociuar një qeveri me njerëz që synojnë rrëzimin e saj, për të diskutuar pikërisht këtë rrëzim.
“Një kërkesë ka pasur nga Edi Rama dhe qeveria: hajde negociojmë dhe t’ju dëgjojmë për hallet që keni dhe që kërkohen nga qeveria. Kjo është pjesa e vetme që ka pasur mazhoranca. Ka mundësi që të krijohet një përfaqësi që ditën e parë. Tani ka vetëm një kërkesë, dorëheqjen e qeverisë. Nuk e di si mund të ulet një qeveri kur ata që kërkojnë atë të rrëzohet. Të negociojmë rrëzimin. Grupe që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë ka çdo ditë. Kështu që s’kemi asgjë të keqe. Kjo nuk do të thotë që qeveria të japë dorëheqjen. Ne kemi bërë më shumë protesta se ata. Ne rrinim aty me ditë e me natë. Edhe Berisha nuk e dha dorëheqjen.”– deklaroi Blendi Klosi.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore, ndryshime kushtetuese përmes referendumit, si dhe anulimin e disa ligjeve dhe paketave të konsideruara problematike nga organizatorët. Protestuesit kanë deklaruar se tubimet do të vijojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre.





