Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, njëkohësisht pedagoge, Iliriana Kuçana, thotë se qytetarët sot presin një opozitë serioze dhe alternativë të besueshme.
Ajo thotë se koha e qokave duhet të mbarojë.
“Të dashur miq,
Sot Partia Demokratike është përballë një zgjedhjeje që shkon përtej emrave. Është një zgjedhje për drejtimin politik të saj dhe për të ardhmen e Shqipërisë.
Kryesia e Partisë Demokratike duhet të përbëhet nga njerëz me fibër politike, me vizion, me mendim të pavarur, të pashantazhueshëm dhe të aftë të përballojnë presionin. Nëse synojmë të rindërtojmë shtetin, na duhen shtetformues dhe burra e gra shteti.
Partia Demokratike ka pasur në kryesinë e saj personalitete si Bujar Nishani, Tomorr Dosti, Gramoz Pashko, Azem Hajdari, Ridvan Bode, Arben Imami, Sokol Olldashi, Genc Ruli, Gjergj Lezhja e shumë të tjerë, figura që përfaqësonin mendim politik, përvojë dhe njohje të thellë të shtetit.
Sot, Partia Demokratike duhet të ngrihet në lartësinë që kërkon koha. Anëtarët e Këshillit Kombëtar kanë përgjegjësinë të votojnë njerëz me integritet, karakter, shtyllë kurrizore dhe vizion për të ardhmen.
Qytetarët presin një opozitë serioze dhe një alternativë të besueshme. Unë dua një Parti Demokratike me intelektualë, me qëndrestarë, me njerëz që nuk e shohin politikën si karrige personale, por si mision për të rikthyer Shqipërinë në shinat e shtetit ligjor, demokracisë dhe meritokracisë.
Koha e qokave ka mbaruar.
Është koha të mendojmë për Shqipërinë”, shkruan ajo.





