Gjykata e Lartë do të shqyrtojë më 16 korrik rekursin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila kërkon shuarjen e masës “pezullim nga detyra”.
Balluku iu drejtua Gjykatës së Lartë pasi kërkesa e saj për heqjen e kësaj mase u rrëzua fillimisht nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dhe më pas edhe nga Apeli i GJKKO-së.
Relator i çështjes është caktuar gjyqtari Ilir Panda.
Ndërkohë, hetimet ndaj Ballukut janë zgjeruar. Përveç akuzës për shkelje të barazisë në tendera, Prokuroria e Posaçme (SPAK) e ka regjistruar atë edhe si person nën hetim për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Sipas SPAK, dyshimet lidhen me dy procedura prokurimi me vlerë mbi 1 milion euro, të zhvilluara në periudhën kur Balluku drejtonte Albcontrol.
Prokuroria pretendon se tenderët janë fituar në kundërshtim me ligjin nga një kompani ndërtimi, ndërsa në këmbim Balluku ka përfituar ryshfet një vilë në Dhërmi me vlerë 145 mijë euro. Pasuria është sekuestruar me vendim të GJKKO-së.





