Agjenda e plotë e Ramës në Izrael: Protokoll i nivelit më të lartë, i rezervuar për pak liderë botërorë

Një agjendë zyrtare e siguruar ekskluzivisht nga Albanian Post tregon se vizita e kryeministrit Edi Rama në Izrael është shoqëruar me një protokoll të nivelit më të lartë shtetëror, i rrallë edhe për liderët evropianë dhe i rezervuar historikisht vetëm për disa figura kyçe ndërkombëtare.

Sipas asaj që mëson Albanian Post, asnjë kryeministër evropian nuk e ka pasur një protokoll të tillë në Izrael, teksa është i rezervuar për shumë pak figura të larta shtetërore, mes të cilëve së fundmi presidenti amerikan Donald Trump.

Vizita parashikohet të nisë në orën 11:00 sipas asaj vendore me një takim kokë më kokë 30-minutësh mes kryeministrit Rama dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i ndjekur nga një takim i zgjeruar 45-minutësh mes dy delegacioneve.

Pas përfundimit të bisedimeve, parashikohet një deklaratë për shtyp 15-minutëshe, pa sesion pyetje-përgjigje, sipas protokollit zyrtar. Po ashtu, është planifikuar shkëmbimi ceremonial i dhuratave shtetërore, me fotografimin e tyre të paracaktuar nga protokolli.

Ceremoni shtetërore në Knesset – Një fjalim historik

Në orën 14:00, kryeministri Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama dhe delegacioni zyrtar, mbërrin në Parlamentin izraelit (Knesset), ku do të pritet nga Kryetari i Parlamentit. Vizita shoqërohet me ceremoni nderi, përfshirë ekzekutimin e himneve kombëtare dhe inspektimin e gardës së nderit.

Lajme të tjera |  "Falë tij nuk do ketë pasoja negative për natyrën" - Rama prezanton arkitektin e Zvërnecit: Po bëjnë çmos t’ia heqin nga duart Shqipërisë...

Në vijim, parashikohet vendosja e një kurore përkujtimore mes Monumentit të Ushtarëve të Rënë dhe Monumentit të Viktimave të Terrorizmit, një gjest simbolik me peshë të fortë politike dhe historike.

Kryeministri do të nënshkruajë personalisht Librin e Përshtypjeve në Sallën Chagall.

Një nga momentet më të rëndësishme të vizitës është seanca plenare e posaçme në Knesset, e cila nis në orën 16:15, me hyrje ceremoniale të delegacionit nën tingujt e trumpetave.

Në këtë seancë do të mbajnë fjalën:

  • Kryetari i Knesset-it, Amir Ohana;
  • Kryeministri Benjamin Netanyahu;
  • Lideri i opozitës, Yair Lapid;
  • Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Sipas protokollit, Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, qëndron i ulur në qendër të sallës dhe nuk mban fjalë, një detaj që nënvizon rëndësinë institucionale të seancës dhe respektimin rigoroz të hierarkisë parlamentare.

Lajme të tjera |  Protesta e 5-të për Zvërnecin! Vargu i qytetarëve s'ka fund...fëmijë e gra në rresht të parë: Revolucion, dorëheqje
Takime paralele dhe drekë pune

Paralelisht, Linda Rama pritet të zhvillojë një takim të veçantë me deputete gra të Knesset-it, ndërsa delegacionet marrin pjesë në një drekë pune zyrtare.

Agjenda e detajuar dhe simbolika e fortë protokollare e kësaj vizite dëshmojnë për një nivel të jashtëzakonshëm marrëdhëniesh politike dhe diplomatike mes Shqipërisë dhe Izraelit, duke e pozicionuar kryeministrin shqiptar në një rang të rrallë trajtimi ndërkombëtar në aspektin protokollar të shtetit hebre.

Nga sa kupton Albanian Post, kryeministri Rama niset për në Izrael të dielën në mëngjes, me vizitën zyrtare që merr jetë të hënën, 26 janar.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us