Nikoll Radaçi, autori i aksidentit tragjik në Durrës me dy fëmijë të vdekur e një të plagosur është paraqitur sot në gjykatë, ku ka zgjedhur të mos flasë dhe nuk ka dhënë asnjë deklarim para trupit gjykues. Avokatja e tij ka treguar detaje nga procesi gjyqësor që u zhvillua në Gjykatën e Durrësit, ku ndaj 57-vjeçarit u caktua masa ‘arrest me burg’.
Gecaj tha se ndaj tij rëndojnë 3 akuza, ndërsa rrezikon nga 5 deri 20 vite. Avokatja deklaroi se klienti i saj Nikoll Radaçi është rëndë psikologjikisht, ndërsa shtoi se ai ka shprehur pendesë për ngjarjen.
Avokatja Arta Gecaj: Gjykata caktoi masën arrest me burg për të pandehurin. Nga prokuroria kanë ardhur 3 akuza që rëndojnë ndaj të pandehurit. Ai nuk ka folur para gjykatës, nuk ka dhënë asnjë shpjegim. Unë jam caktuar nga shteti për të realizuar mbrojtjen. Ai akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit. Për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe për shkaktim të vdekjeve. Ai rrezikon nga 5 deri në 20 vite parashikohet dënimi me burg. Po ashtu ai akuzohet dhe për largim nga vendi i aksidentit. Ai ka shprehur pendesë. Edhe sot dukej në gjendje të rëndë psikologjike. Atyre që ai ka shprehur, i qëndron akoma.





