Vendet evropiane po hartojnë një plan për një mision ndërkombëtar pasluftës që synon të rikthejë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara, raporton Wall Street Journal.
Sipas raportimit, iniciativa po udhëhiqet nga Britania e Madhe dhe Franca dhe parashikon krijimin e një koalicioni të gjerë ndërkombëtar që do të ndihmojë në sigurimin e kalimit të anijeve tregtare në këtë rrugë strategjike detare pas përfundimit të konfliktit aktual.
Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se bëhet fjalë për një mision mbrojtës ndërkombëtar që nuk do të përfshijë “palët ndërluftuese”, duke përjashtuar kështu Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe Iranin.
Diplomatë evropianë të cituar nga Wall Street Journal thanë se anijet evropiane nuk do të operojnë nën komandë amerikane.
Qëllimi i planit është t’u japë kompanive të transportit detar siguri për të rifilluar përdorimin e ngushticës pasi të ndalen armiqësitë, ndërsa operacioni pritet të përfshijë mjete për pastrimin e minave detare, eskortë ushtarake dhe mbikëqyrje të vazhdueshme në zonë.
Raporti thekson se edhe Gjermania mund t’i bashkohet misionit, çka do ta bënte operacionin më të gjerë nga sa ishte parashikuar fillimisht. Berlini pritet të shprehë qëndrimin e tij në ditët në vijim.
Sipas Wall Street Journal, diskutimet nxjerrin në pah edhe tensionet në rritje mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, në një kohë kur administrata amerikane ka kërkuar prej javësh që aleatët evropianë të dërgojnë anije luftarake në Gjirin Persik për të ndihmuar në rihapjen me forcë të ngushticës.





