Në prag të 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, 111 nxënës mbollën në mënyrë simbolike 111 pemë në Parkun e Varrezave të Dëshmorëve në Tiranë.
Kryebashkiaku, Erion Veliaj i pranishëm në këtë aksion tha se Tirana dhe Shqipëria po përjetojnë ditën më të mira në rajon, duke bërë njëherësh apel se duhet lënë mënjanë ndasitë me partive.
“Shpresoj shumë që kjo javë festimesh të jetë edhe një javë reflektimi për të kuptuar se sot nuk kemi armiq që na pushtojnë, por pengesat më të mëdha, stërkëmbshat më të mëdhenj, i bëjmë po vetë, shqiptarë mes shqiptarësh, kur nuk gjejmë gjuhën, kur pengojmë njëri-tjetrin, kur mundohemi që partitë të dalin mbi vendin.”
Këtë ai e lidhi dhe me faktin e festimit të ndarë të festës të çlirimit të vendit mes të majtëve dhe të djathtëve.
“Është koha që të tejkalojmë ata persona që na mbajnë të ndarë dhe refuzojnë të pranojnë datat tona historike, që refuzojnë ta lënë vendin të ecë përpara me gjithë shpejtësinë dhe energjinë e mundshme.”
Kurorës së gjelbër të Tiranës me këtë aksion të ndërmarrë iu shtuan 111 pemë selvi, duke zgjedhur si simbolikë vendin ku prehen Dëshmorët e Kombit.