Gjirokastra, destinacion elitar i turizmit shqiptar, Sula: Inspektorët do të pajisen me kamera inteligjente

Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, përpara takimit me trupat inspektuese të qarkut të Gjirokastrës, bëri thirrje për rritjen e vëmendjes dhe forcimin e masave institucionale gjatë sezonit turistik, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e konsumatorit dhe respektimin e standardeve ligjore. Duke e cilësuar Gjirokastrën si një destinacion elitar të turizmit shqiptar, Sula theksoi se rritja e fluksit të vizitorëve kërkon përgjegjshmëri më të lartë institucionale, bashkërendim ndërmjet strukturave dhe kontrolle të orientuara drejt parandalimit të rreziqeve.

Vëmendje e veçantë iu kushtua kontrolleve në pikat doganore për hyrjen dhe tregtimin e kafshëve të gjalla, përfshirë gjedhët dhe bagëtitë e imta, procesit të prodhimit dhe tregtimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, si dhe zbatimit të standardeve të kategorizimit, në përputhje me udhëzimet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.

Në fokus u vendos edhe forcimi i masave për mbrojtjen nga zjarri, duke marrë në konsideratë vlerat e veçanta historike dhe kulturore të qytetit të Gjirokastrës, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Sula theksoi domosdoshmërinë e respektimit rigoroz të standardeve të sigurisë nga zjarri në subjektet tregtare, strukturat akomoduese dhe objektet me interes turistik. Ai kërkoi gjithashtu bashkërendim të vazhdueshëm me strukturat e emergjencave civile dhe pushtetin vendor, me qëllim parandalimin e rreziqeve dhe mbrojtjen e pasurisë historike e kulturore të qytetit.

Lajme të tjera |  “Nuk shiten malet, është mundësi për pronarët dhe emigrantët”, Rama: Paketa e Maleve, nuk anulohet!

Një tjetër çështje me rëndësi ishte ruajtja e mjedisit, si element thelbësor për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të zonës. Subjektet tregtare dhe turistike u nxitën të respektojnë standardet mjedisore gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në rajon.

Teknologji inteligjente për inspektime më transparente

Gjatë fjalës së tij, Sula bëri të ditur se, nën kujdesin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka nisur një proces i rëndësishëm për modernizimin e veprimtarisë inspektuese. Brenda një periudhe tetëmujore parashikohet që të gjithë inspektorët në Republikën e Shqipërisë të pajisen me kamera trupore inteligjente, të integruara me teknologjinë e inteligjencës artificiale, për dokumentimin dhe monitorimin e inspektimeve në terren.

Lajme të tjera |  Jennifer Lopez, koncert në Tiranë? Gonxhja: E kemi refuzuar për momentin, kërkoi 2 milionë euro garanci nëse do kishte protesta

Përdorimi i kësaj teknologjie synon:

rritjen e transparencës gjatë inspektimeve;

forcimin e përgjegjshmërisë së trupave inspektuese;

parandalimin dhe evidentimin e rasteve të abuzimit;

mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe subjekteve;

rritjen e cilësisë dhe efektivitetit të kontrolleve në terren.

Digjitalizimi i sistemit të inspektimeve përbën një tjetër prioritet të rëndësishëm. Ky proces do të mundësojë standardizimin e procedurave, gjurmueshmërinë e veprimeve inspektuese dhe komunikimin më të shpejtë ndërmjet institucioneve, qytetarëve dhe bizneseve.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us