Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua seanca e radhës e gjyqit në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Të pranishëm në seancë ishin dy prokurorët, Altin Dumani dhe Ols Dado, ndërsa kryetari i Tiranës mungoi sërish, pasi ka refuzuar të marrë pjesë për sa kohë nuk i lejohet dalja nga kafazi i xhamit. Në sallën e gjyqit nuk u paraqit as avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, i cili ka kërkuar shtyrjen e seancës pasi është në një proces civil në gjykatën e Tiranës si përfaqësues i Arbjan Maznikut.
“Pengesë për zhvillimin mosmarrja pjesë e avokatit të Erion Veliajt. Gjykata ta shtyjë seancën. Duhet të caktohet kryesisht. Pretendimi nuk është i ligjshëm e gjykata të caktojë gjobë për avokatin. Të pezullohen avokatët”, kërkoi prokurori Ols Dado.
Gjykata vendosi t’i vendosë avokatit Plarent Ndreca një gjobë prej 50 mijë lekësh, duke vlerësuar se në seancën e kaluar ai nuk kishte ngritur pretendime për datën e seancës së sotme dhe se sjellja e tij është bërë shkak për shtyrjen e procesit.
Në seancë nuk u paraqit as bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa ndërsa mbrojtja e saj përfaqësohet nga dy avokatët Gurali Brahimllari dhe Maksim Haxhia. Pala mbrojtëse ka dorëzuar një raport mjekësor ku vërteton se Xoxa është në të njëjtat kushte dhe nuk ka mundësi të paraqitet që të jetë vetë e pranishme.
Për Ajola Xoxën, gjykata vendosi që gjykimi të vijojë në mungesë, pasi sipas saj raporti i lëshuar nga mjeku nuk tregon pamundësi objektive për të marrë pjesë në seancë. Seanca e radhës është caktuar më 15 shtator, ora 10:00.
Më 9 shkurt, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe të pandehurve të tjerë.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për ‘shpërdorim detyre’, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, ‘futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim’ dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./





