111- vjetori i Pavarësisë, Hasani: Shqipëria faktor stabiliteti e orientimi euroatlantik në rajon

Ministri për Evropën dhe punët e Jashtme, Igli Hasani shprehu sot urimet më të përzemërta për të gjithë shqiptarët në mbarë botën në 11-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Hasani ndau një video me pjesë nga fjalimet e Presidentit Bajram Begaj, Kryeministrit Edi Rama dhe të tij, ku flasin për arritjet e Shqipërisë.

Ministri Hasani theksoi se “modeli ynë i bashkëjetesës, dialogut, mikpritjes e tolerancës, vendosmëria për të parë përpara e ringritur pas çdo vështirësie me kokën lart, janë burim frymëzimi e krenarie për breza shqiptarësh në Shqipëri, rajon e botë që sot shkëlqejnë në art, sport, diplomaci, teknologji e çdo punë të ndershme”.

“Këto vlera janë dhe themeli i punës dhe angazhimit tonë të palëkundur si faktor stabiliteti e orientimi euroatlantik në rajon, duke e bërë Shqipërinë të njihet sot si një kontribuese e respektuar në arenën ndërkombëtare”, tha Hasani.

“Gëzuar pavarësinë Shqipëria jonë”, u shpreh Hasani.

Në të gjithë vendin festohet sot 111-vjetori i shpalljes së Pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us