Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla përcolli urimin me rastin e 111-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
“Më 28 nëntor 1912, përpjekjet e patriotëve e shqiptarë, të mendjes e të pushkës, u kurorëzuan me sukses me shpalljen e pavarësisë dhe themelimin e shtetit shqiptar të pavarur. Pasi u ngrit nga Ismail Qemali në Vlorën e Flamurit, flamuri kuq e zi, deri atëherë shenja jonë kombëtare, u bë edhe simboli shtetëror i Shqipërisë së pavarur”, shkroi Nikolla në rrjetet sociale.
Ajo solli përshkrimin e kësaj ngjarjeje madhore të historisë kombëtare nga Ati Themelues i Shqipërisë së pavarur, Ismail Qemali.
“Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë.”
Dhe më poshtë, për të treguar se pavarësia, liria dhe integriteti i shtetit shqiptar, kërkon edhe sakrifica sublime, vijon:
“I drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut”.
“Fjalë inspiruese të një jete e vepre inspiruese në shërbim të atdheut! Sakrifica është shenja më domethënëse e patriotizmit. Shqipëria është sot mes kombeve demokratike e të qytetëruara, anëtare e NATO-s, partnere e denjë e SHBA që avancon me shpejtësi drejt familjes europiane, në mbrojtje të paqes, lirisë, pavarësisë dhe integritetit të kombeve.
Një mbështetëse e vendosur e pavarësisë dhe fuqizimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Nikolla.