Zohran Mamdani u zgjodh kryetar bashkie i qytetit të New York-ut. 34-vjeçari, i cili e përshkruan veten si “makthi më i keq i Trump”, fitoi 60.2 përqind të votave, duke shënuar një fitore të madhe për krahun progresiv të Partisë Demokratike.
Në një fitore për krahun progresiv të Partisë Demokratike, Mamdani mundi ish-guvernatorin Andrew Cuomo dhe republikanin Curtis Sliwa. Duke folur mes duartrokitjeve, Mamdai i tha turmës brohoritëse në New York: “Miqtë e mi, ne kemi përmbysur një dinasti politike. Për aq kohë sa mbajmë mend, punëtorëve të New York-ut u është thënë nga të pasurit dhe ata me lidhje të forta se pushteti nuk u përket atyre, megjithatë, gjatë 12 muajve të fundit, ju keni guxuar të synoni diçka më të madhe. Sonte, kundër të gjitha parashikimeve, ne e kemi kapur atë”, tha Mamdani.
Me këtë fitore, demokrati do të skalitë vendin e tij në histori si kryebashkiaku i parë mysliman i qytetit, i pari me trashëgimi nga Azia Jugore dhe i pari i lindur në Afrikë. Ai gjithashtu do të bëhet kryebashkiaku më i ri i qytetit në më shumë se një shekull, kur të marrë detyrën më 1 janar.
Sipas Bordit Zgjedhor të qytetit, më shumë se 2 milionë njujorkezë hodhën votën në garë, pjesëmarrja më e madhe në një garë për kryetar bashkie në më shumë se 50 vjet.
Demokratët fitojnë Virxhinian dhe Nju Xhersin
Votimi i së martës pati fletëvotime në rreth gjysmën e shteteve të SHBA-së, duke përfshirë dy gara konkurruese për guvernator në atë që ishte zgjedhja e parë e madhe e mandatit të dytë të Trump. Garat për guvernator morën një rol të jashtëzakonshëm në një vit kur Trump është përballur me guvernatorët dhe kryetarët e bashkive, ndërsa ka vendosur trupa të Gardës Kombëtare dhe agjentë të imigracionit nëpër qytete dhe shtete. Votuesit mbështetën demokratët për pozicione guvernatori në New Jersey dhe Virginia, duke hedhur poshtë shtytjen e vonë dhe të lehtë të Trump për kandidatët e tij të preferuar.
Duke cituar anketuesit, Trump tha se “TRUMP NUK ISHTE NË FLETËN E VOTIMIT” dhe mbyllja e qeverisë federale “ISHIN DY ARSYET QË REPUBLIKANËT I HUMBËN ZGJEDHJET SONTE”.





