Bayern Munchen ka hedhur hapat e parë drejt transferimit të Fisnik Asllanit, pasi sipas gazetarit gjerman Florian Plettenberg, kampionët e Gjermanisë kanë zhvilluar “bisedime konkrete” me sulmuesin e TSG Hoffenheim. Klubi bavarez po kërkon një zëvendësues të besueshëm për Harry Kane, ndërkohë që Nicolas Jackson, aktualisht në huazim, pritet të rikthehet te Chelsea në fund të sezonit.
Asllani është shfaqur si një opsion real për Bayern, falë formës së tij mbresëlënëse këtë edicion. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës është golashënuesi më i mirë i Hoffenheim këtë sezon në Bundesliga, me pesë gola të realizuar deri tani. Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha europiane, duke e vendosur 23-vjeçarin në qendër të tregut të ardhshëm veror.
Megjithatë, bavarezët nuk janë të vetmit në garë. Edhe Barcelona raportohet të jetë e interesuar për Asllanin, çka e rrit ndjeshëm konkurrencën për nënshkrimin e tij. Bayern po përpiqet të veprojë me shpejtësi për të mos humbur një objektiv që shihet si ideal për të rritur alternativat në sulm dhe për t’i ofruar Kane një mbështetje të fortë në vijën e avancuar.





