Ish-deputeti Myslim Murrizi ka deklaruar se historia e politikës shqiptare në 35 vjet ka treguar se nuk vihet në pushtet me militantë.
Duke folur në emisionin “Tema e Ditës” të Arbër Hitajt në RTSH1, Murrizi theksoi se ai nuk është bërë pjesë e protestës së Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë.
Ai vuri në dukje se në radhët e Partisë Demokratike janë deputetë që nuk kaluan as në procesin e primareve dhe iu shmangën votës së demokratëve duke qenë se ishin në listë të mbyllur.
“23 veta që janë me mandat deputeti nuk kaluan në procesin e primareve, iu shmangën votës së qytetarëve sepse ishin në listë të mbyllur e për çfarë t’i dëgjoj ata të flasin.
Për çfarë flasin ata, kam 35 vjet që dëgjoj nga këta herë me sforco herë duke kërcitur dhëmbët. 5 vite kam punuar në administratë 1992-1997.
Që nga 1997 jam në opozitë me të gjitha qeveritë. S’kam qenë pjesë e qeverisë së Berishës 2005-2013 sepse kam paguar me qejf koston e lirisë time ngaqë kandidova i pavarur.
A kam nerva dhe kohë tepër të dëgjoj Oerd Bylykbashin që humbi 14 mijë vota në Durrës dhe është hartuesi famëkeq i Kodit Zgjedhor vetëm për një karrige të menderes së tij dhe brumi që ka rreth vetes që i fryjnë Berishës në vesh”, tha më tej Murrizi.





