Adriatik Lapaj, deklaroi se Edi Rama nuk rrëzohet nga pushteti me molotov.
“Kur para 16 ditësh nisa me një karrige të dilja këtu te Kryeministria, ju jeni dëshmitarë që asnjë protestë nuk ishte në qytet, edhe pse vendi po dëshmonte një nga vjedhjet më barbare që mund të imagjinohej. Në këto 16 ditë që kanë kaluar është rritur intensiteti i të gjitha grupimeve politike, por edhe grupeve shoqërore në organizim të aktiviteteve qytetare përballë hajdutërisë. Është intensifikuar debati publik dhe është kthyer në qendër të vëmendjes reagimi për këtë çështje.
“Ne mund të mos e duam njëri-tjetrin, por e vërteta e madhe është që ka një kohë për t’u zënë, ka dhe një kohë për t’u bashkuar kundër një të keqe më të madhe. Koha kur mund të më sulmojnë mua si Adriatik, edhe ata që janë në opozitë, nuk është tani, është më vonë. Sot është koha që secili të shtrijë dorën dhe të bashkohet në një front të madh qytetar kundër hajdutërisë së madhe që ka kapur vendin”, shtoi Lapaj.
Sipas tij, “nuk është koha të mendojmë për partinë, por të luftojmë për të çliruar Shqipërinë”.
“Kjo bëhet vetëm me bashkim të madh qytetar, që të kenë mundësi që të vijnë këtu edhe socialistë. Qeveritë ikin me qëndresë, nuk ikin me kapsolla apo me Molotov 2-orarësh. Duhet qëndresë dhe duhet të bindet popullsia që e kanë seriozisht”, theksoi Lapaj.





