Pjesëmarrja e Fredi Belerit në varrimin e gjyshes së tij në Himarë u zhvillua nën një mbikqyrje të rreptë policore. Pamjet e policëve që tërheqin kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës kanë shkuar deri në Greqi dhe media greke Kathimerini ka bërë një interpretim të ngjarjes. Së pari, sipas gazetarëve grekë shoqërimi i Belerit nga forca të shumta policie tregon se Rama nuk do të tërhiqet nga burgosja e fituesit të Himarës.
Masat e marra dukeshin si “për dikë të dënuar rëndshëm me burg”, shkruan gazeta, që lexon sinjalet e qeverisë si më poshtë: “Sido që të jetë, sjellja e policisë shqiptare tregoi një përpjekje për të dhënë sinjalin se qeveria e Tiranës nuk do të bëjë asnjë lëshim në rastin e Belerit, i cili akuzohet për ryshfet votash në masën 340 euro”.
Gjithsesi shpresa e grekëve është që pamjet të shihen edhe nga ata që po i bëjnë presion Greqisë të mos e pengojë hapjen e kapitujve të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian.
Fredi Beleri u arrestua nga forcat operacionale natën e 12 Majit, dy ditë para zhvillimit të zgjedhjeve lokale. Pas fitores së Himarës ai ka kërkuar leje të betohet, por gjykata ia ka mohuar. Presioni i fortë i Greqisë dhe bllokimi i procesit të integrimit nuk e ka ndryshuar qëndrimin e qeverisë shqiptare që po përgatit emërimin e një administratori për Himarën.