Prokuroria e Posaçme, vijon hetimet në lidhje me numrin 2 të qeverisë Belinda Balluku, ndërsa një aksion është ndërmarrë sot. SPAK po kryen kontrolle në subjekte të lidhura me procedurat e tenderave të loteve të Unazës së Madhe të Tiranës. Kontrollet po kryehen me qëllim gjurmimin e provave që mund ti shërbejnë hetimit për rolin e zv.kryeministres dhe njëherësh mistres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Mesazhet e përfshira në dosjen hetimore tregojnë se më 12 gusht 2021, punonjësit e ARRSH-së punonin deri pas mesnate për publikimin e tenderëve. Ndërsa Belinda Balluku jepte urdhrat për fituesin e tenderit. Mesazhet e vazhdueshme lidhur me “Unazën e Madhe” të Tiranës, mes Ballukut dhe vartësit të saj, Ervis Berberi, janë në fokus të hetimeve. Sipas një bisede të 1 tetorit 2021, mesazhet nxjerrin komunikimin mes tyre mbi publikimin dhe koordinimin e veprimeve për njoftimin për Unazën. Balluku i kërkon Berberit “të jetë gati për njoftimin”, ndërsa biseda vijon mes tyre vijon për afatet e veprimeve dhe shtyrjen e njoftimeve deri të mërkurën.
Ky është kontrolli i dytë në një hark të shkurtër kohor, ku vetëm në fund të dhjetorit Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) kreu 19 kontrolle për zyrtarë e biznesmenë, mes tyre banesa e Sajmir Kuçit, Marsel Hoxhës dhe Jonida Çeços. Kontrolle janë kryer edhe në zyrën e Bashkim Ulajt, Rrok Gjoka, Ilir Shtufi. Më herët, janë kryer kontrolle në banesën e Viola Haxhiademi, ish-sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtore e KESH-it. Gjithashtu, kontrolle janë kryer edhe në banesën e Gentian Gjyli ish-drejtor i ARRSH-së, i pandehur dhe në arrest shtëpie, si edhe në banesën e Erald Elezi, ish-drejtori i KESH-it, i pandehur dhe në arrest shtëpie.





