Rinisin reshjet e dëborës në Qafë Thanë prej orëve të para të ditës. Aktualisht aksi rrugor nacional është i qarkullueshëm pa probleme ndërsa borëpastrueset janë në terren për largimin e borës dhe hedhjen e kripës.
Dëbora ka përfshirë të gjithë territorin e juglindjes, Pogradec, Maliq, Kolonjë, Korçë e Devoll.
Ndërkohë raportohet se akset Korçë-Dardhë, Korçë-Kapshticë, Korçë-Voskopojë dhe Korçë-Ersekë janë të kalueshme.
Situata e akseve rrugore:
ARRSH – Drejtoria Qendër–Lindje raporton se:
Në akset Korçë–Ersekë (K.3) dhe Zëmblak–Goricë–Bilisht–Miras (K.6), gjatë natës ka pasur reshje bore. Po vijon pastrimi dhe kriposja, rekomandohet qarkullimi me goma dimërore.
Në Lotin 7, në akset Libonik–Rëmbec–Plasë dhe Korçë–Voskopojë, reshjet e borës kanë arritur deri në 8 cm, të shoqëruara me erë të fortë. Akset janë pastruar dhe kriposur, qarkullimi vijon normal.
Në segmentet k/Boboshticë–Dardhë dhe k/Lapidari Podgorie–k/Podgorie–Liqenas, reshjet e borës janë të shoqëruara me erë të fortë. Në segmentin e Dardhës, trashësia e borës arrin në disa vënde mbi 50 cm. Po punohet për pastrimin dhe kriposjen, këshillohet përdorimi i gomave dimërore dhe zinxhirëve.
Në akset Maliq–Kufi Gramsh dhe Ersekë–Leskovik–Tre Urat, gjatë natës ka pasur reshje bore dhe vijon puna për pastrimin dhe kriposjen.
Situata në bashkitë e qarkut
Deri në këto momente, nga bashkitë e qarkut nuk raportohen problematika.
Prefektura e Qarkut Korçë mbetet në ndjekje të vazhdueshme të situatës dhe do të informojë në kohë reale për çdo zhvillim të ri.
Sipas raportimit të OSSHE Dispeçeria Rajonale Korçë, aktualisht pa energji elektrike janë jan 743 familje këto zona:
Fideri Potgozhan, NST Guri i Kuq: pa energji rreth 500 abonentë ruralë në zonat Trebinjë dhe Bishnicë.
Fideri 8 Rehovë, NST Ersekë: pa energji zona Rehovë, 40 abonentë.
Fideri Vithkuq, NST Rehovë: pa energji zona Mazrekë, 3 abonentë ruralë.
Fideri 9, NST Lozhan: pa energji zona Mesmal, 50 abonentë ruralë.
Fideri 4, NST Mollas: pa energji zona Pepellash, 5 abonentë ruralë.
Fideri 22, NST Korçë: pa energji 3 abonentë privatë dhe një antenë në Cardhak (Stefani).
Fideri JO6, NST Leskovik: pjesërisht në punë, pa energji 2 abonentë në zonën Gërmenj.
Fideri 19, NST Korçë: pjesërisht në punë, pa energji zona Dardhë, 140 abonentë.
Fideri 3, NST Ersekë: pa energji (numri i abonentëve nuk është raportuar).
Ekipet e OSSHE-së ndodhen në terren dhe po punojnë për normalizimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike.
Kukës
Kukësi është përfshirë nga reshje të dendura bore gjatë orëve të fundit, duke sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave dhe vështirësi në qarkullim.
Bora ka zbardhur qytetin e Kukësit, ndërsa në zonat malore mbi 600 metra mbi nivelin e detit, trashësia e saj ka kaluar 5 centimetra.
Termometri ka zbritur në minus 2 gradë Celsius në qytetin e Kukësit, ndërsa në zonat më të thella malore temperaturat kanë arritur deri në minus 9 gradë. Këto kushte atmosferike kanë krijuar prezencë të ngricave në disa akse rrugore nacionale.
Veçanërisht problematike paraqiten rrugët Kukës–Peshkopi, Kukës–Qafë Mali, Krumë–Bajram Curri si dhe aksi Kukës–Shishtavec, ku drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve që të pajisen me goma dimërore dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Deri në këto momente nuk raportohet për akse rrugore të bllokuara, ndërsa strukturat përgjegjëse janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës.





