Një masiv i madh gurësh dhe dheu ka rrëshqitur nga mali duke bllokuar totalisht prej orës 11:00 aksin rrugor Librazhd–Qafë Thanë, në zonën e njohur si Kthesa e Dragostunjës.
Kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli në një intervistë për Report Tv tha se ekipet po vijojnë punën për hapjen fillimisht të njërit aks pas rrëshqitjeve të dherave në aksin Librazhd-Qafë Thanë, paraditen e sotme.
“Ne kemi marrë masat e nevojshme. Aksi duhet të ishte liruar, por për shkak të dy masive shkëmbore u vonua. Siguria është primare. Ne synojmë të zhbllokojmë të hapim njërin aks, kështu radha e makinave që vjen nga Korça është më e gjatë. Për 30 minuta qarkullimi do të jetë i hapur për lëvizjen e automjeteve në njërën korsi. Është fenomen natyror nuk lidhen me punimet por me reshjet”, tha Ami Kozeli.
Për pasojë, rruga është mbyllur në të dyja drejtimet, duke bërë të pamundur qarkullimin e mjeteve dhe shkaktuar trafik kilometrik prej 10 kilometrash, në të dyja anët.
Bllokimi i rrugës ka prekur edhe një auto-ambulancë e cila po transportonte një grua të sëmurë, që po dërgohej drejt Spitalit të Elbasanit.
Situata ka detyruar transportimin e saj me barrelë për të kaluar përmes lumit nga ana tjetër e rrugës, që siç tregojnë pamjet është bllokuar plotësisht nga masive të mëdha shkëmborë.





