Greqia përballë paradoksit të emigracionit: nevojë për punëtorë, por ligje më të ashpra

Nga Etmond Guri

Greqia ndodhet sot përballë një realiteti kompleks në fushën e emigracionit, ku nevoja reale për krah të lirë pune bashkëjeton me politika gjithnjë e më shtrënguese ligjore dhe penalizuese për emigrantët e parregullt. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në Greqi jetojnë rreth 790 mijë emigrantë të ligjshëm, nga të cilët më shumë se gjysma janë shtetas të Bashkimit Evropian. Pjesa tjetër përbëhet nga emigrantë nga vendet e treta, përfshirë Afrikën, Azinë dhe Ballkanin.

Në të njëjtën kohë, ekonomia greke përballet me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore, veçanërisht në sektorë kyç si bujqësia, turizmi, ndërtimi etj. Organizatat e biznesit dhe përfaqësues të industrisë kanë paralajmëruar vazhdimisht se pa emigrantët, këta sektorë rrezikojnë ngadalësim ose paralizë.

Megjithatë, qeveria greke ka zgjedhur të ashpërsojë kuadrin ligjor për emigracionin, duke penalizuar emigrantët që ndodhen në vend pa dokumente të rregullta, shpesh pa ofruar një “shans të dytë” për legalizim. Paralelisht, Athina po promovon marrëveshje ndër-shtetërore për importimin e fuqisë punëtore nga jashtë, një praktikë që për shumë analistë konsiderohet kontradiktore: nga njëra anë penalizohen emigrantët që tashmë jetojnë dhe punojnë në Greqi, nga ana tjetër kërkohet krah pune i ri nga jashtë vendit.

Një shembull domethënës është ligji 5078/2023, i njohur si ligji trevjeçar, neni 193.1, përmes të cilit janë paraqitur më shumë se 50 mijë aplikime për legalizim, ndërsa mbi 12 mijë prej tyre janë refuzuar dhe shifrat vijojnë te rriten gjithnjë e me shume. Këto shifra kanë ngritur pikëpyetje mbi objektivin real të politikave aktuale: a synon Greqia emigracion të rregullt dhe të kontrolluar, apo thjesht kufizim dhe përjashtim?

Lajme të tjera |  Berisha publikon akuzat e eurodeputetit: Rama përdor familjarët për të nxjerrë para jashtë

Nga ana tjetër edhe projektligji i ri, që aktualisht ndodhet në Parlamentin e Greqisë ku po shqyrtohet nga Komisioni i Përhershëm për Administratën Publike, Rendin Publik dhe Drejtësinë ku pritet të shkoj për votim shumë shpejtë. Edhe ky projektligj, që është në fakt Promovimi i politikave të migracionit të ligjshëm, integrimi i Direktivës (BE) 2024/1233 lidhur me procedurën e unifikuar të paraqitjes së aplikimit për dhënien e lejejes të unifikuar të qëndrimit dhe punës për shtetasit e vendeve të treta në territorin e një shteti anëtar (BE), si dhe lidhur me të drejta të përgjithshme të përbashkëta për punëtorët nga vendet e treta që qëndrojnë ligjërisht në një shtet anëtar, ndryshime në Kodin e Migracionit dhe dispozita të tjera.

Nuk sjell shumë të reja, përveçse përshpejtimin procedurës së rinovimit të lejes ës qëndrimit (pritet të shikohet në realitet sesa do të arrihet), mundësia që u jepet emigrantëve të moshës 65 e sipër të cilët mund të rinovojnë lejen e qëndrimit me siguracion privat (pagesë shtesë) asnjë shans i dytë për ligjërim për ata mijëra emigrantë të cilët jetojnë prej vitesh në Greqi, si dhe paralelisht duke aplikuar masa shumë të ashpra për ata të cilët ndalohen nga polica dhe konstatohen të parregullt, rrezikojnë 2-3 vjet burg, deportim dhe shpalljen të padëshirueshëm (listë e zezë) për të gjithë zonën shengen për të paktën 5 vjet dhe gjobë në vlerë monetare mbi 5000 euro.

Lajme të tjera |  Ilir Baqaj i drejtohet Gjykatës së Lartë, ish-ministri kërkon lirimin duke ofruar garanci pasurore

Por ekspertët theksojnë se emigrantët përbëjnë një peshë të rëndësishme për ekonominë greke. Ata kontribuojnë në prodhim, në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe në mbajtjen gjallë të sektorëve që nuk tërheqin më fuqinë punëtore vendase. Në këtë kontekst, lind pyetja nëse politikat shtrënguese e ndihmojnë realisht ekonominë greke apo krijojnë mungesa edhe më të mëdha në tregun e punës.

Një tjetër element kritik është mungesa e politikave integruese afatgjata. Edhe pse emigrantët janë vazhdimisht në qendër të debatit politik dhe publik, ata rrallë përfshihen si faktor në hartimin e politikave. Integrimi social, gjuhësor dhe profesional mbetet i kufizuar, ndërsa theksi vendoset kryesisht te kontrolli dhe penalizimi.

Situata aktuale ngre pyetje thelbësore për të ardhmen:
A po ndërton Greqia një model emigracioni funksional dhe të qëndrueshëm?
A përputhen politikat ligjore me nevojat reale të ekonomisë?

Dhe mbi të gjitha, a po shfrytëzohet potenciali i emigrantëve si pjesë e zgjidhjes, apo po trajtohen vetëm si problem?
Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve do të përcaktojnë jo vetëm fatin e qindra mijëra emigrantëve, por edhe ecurinë ekonomike dhe sociale të vetë Greqisë në vitet që vijnë.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us