Real Madrid ka mbajtur sot të hapur garën për titullin me fitoren 2-1 ndaj Rajo Vajekano. Por Alvaro Arbeloa ka pse të shqetësohet, pasi Xhud Bellingam do të qëndrojë jashtë për një periudhë të gjatë kohe.
Futbollisti anglez u detyrua të linte fushën e lojës për një dëmtim muskulor që në minutën e 8 të ndeshjes së sotme dhe testet kanë zbuluar se ka pësuar një këputje muskulore. Një situatë e cila parashikohet ta lërë atë jashtë fushave të lojës për të paktën një muaj, duke ndjekur 8 ndeshje si spektator.
Këtu përfshihen edhe sfidat e Ligës së Kampioneve ndaj Benfikës, si dhe është në dyshim edhe të paktën një ndeshje e parë e mundshme e turit tjetër të këtij turneu. Ndaj Arbeloa tashmë duhet të bëjë planet pa lojtarin i cili ishte kthyer në një element kyç të lojës së ekipit në këto javë.





