Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u pyet edhe për deklaratat e kryeministrit Edi Rama lidhur me rritjen e pagave të gjyqtarëve, çështje për të cilën pritet që të shprehet Gjykata Kushtetuese.
Në prononcimin për mediat, pas daljes së tij nga SPAK, kryedemokrati theksoi se rritja e pagave është kompetencë e pushtetit ekzekutiv, por sipas tij, për sa kohë është prishur “piramida” e sistemit, gjykata mund të ndërhyjë.
I pyetur nëse mund ta rregullojë Gjykata Kushtetuese këtë piramidë, ai tha se Nuk mund të them ta rregullojë se duhet një ekspertizë e thellë ligjore por ka të drejtë ta rrëzojë. Rregullimin duhet ta bëjë përsëri ekzekutivi.”
“Ka dy aspekte, së pari që ai po bën gjithçka që të ndikojë sepse e ka të rëndësishme, por lidhur me pagat dua të them një të vërtetë. Piramida e pagave është kompetencë e ekzekutivit dhe vetëm e tij, përvcse ndërmarrjet publike dhe ekonomike. Në këtë kontekst, gjykata nuk ka asnjë lidhje por nëse ekzekutivi e ndërton kokëposhtë piramidën unë s’e kuptoj se gjykata nuk mund të ndërhyjë. Piramida parashikon rrogën më të lartë kreut të shtetit, piramida ka një shkallë.
Nëse ekzekutivi ka firmosur për faqen e zezë të tij, që Altin Troplini të jetë njeriu më i paguar në sistemin e drejtësisë nga kufiri Slloveni e Austri e gjer në Qipro, atëherë ai ka bërë jo piramidë të rrogave në përputhje me frymën e kushtetutës dhe ligjit, por një piramidë me interesat e tij personale.
Vërtet ajo është kompetencë e ekzekutivit por i detyruar ta ushtrojë në përputhje me parimin. Rama ka shkelmuar me dy këmbët e tij ligjin, i ka vurë mercenarit të SKAP rrogën 7 mijë euro, një delinkuenti, atëherë çdo gjykatës i lartë e kushtetues ka të drejtë, të ndihen të shkelmuar e të poshtëruar nga qeveria me vendimin e saj.”, tha Berisha.





