Tirana do të përballet nesër me Dinamon në derbin e vlefshëm për javën e 23-të të Superiores. Bardheblutë vijnë me moralin lart pas dy fitoreve radhazi teksa njohin humbje prej dy muajsh.
Në prag të duelit që luhet nesër në orën 13:30, ka folur trajneri Ardijan Nuhiju. Tekniku i kryeqytetasve është ndalur te mungesat, te analiza e bluve, te fryma e grupit që është krijuar, por edhe te merkatoja e dimrit.
“Është një ndeshje e rëndësishme për Tiranën, futbollistët, por edhe tifozët. Padiskutim ndeshjet e tilla duan një analizë të thellë, analizuam skuadrën kundërshtare që ka kualitet brenda grupit, pres nga skuadra ime qe të jetë e përqëndruar në këtë ndeshje, besoj te grinta se si kemi zhvilluar ndeshjet këtë vit. I kemi thënë skuadrës si të ballafaqohet nesër dhe të na shërbejë për të marrë më të mirën nga ndeshjet.
Po hasim shumë probleme, Xhixha do të mungojë, Ernest është bashkuar me grupin, por duhet parë gjendja e tij fizike. Mungesë gjithashtu do të jetë kapiteni ynë Haxhiu dhe Marku është bashkuar me grupin, por duhet të shohim gjendjen e tij. Ndeshjet e derbit nuk njohin tabelë dhe ajo që ka kaluar, ne vijmë nga një fitore shumë e rëndësishme, nuk na e shpëton kampionatin, duhet me përulësi, përqëndrim dhe ta zhvillojmë këtë sfidë të re për gjithsecilin që të tregojë vlerat e veta.
Jam i lumtur që po bëjmë 2 muaj pa humbje, na duhet vazhdimësi, i bën mirë skuadrës. Duke parë kualitetin e grupit nuk është asgjë e tepër, më pëlqen mentaliteti, mënyra si po qasen në çdo ndeshje, me uri për ta fituar ndeshjen, mund ta bëjmë të lehtë, do sakrificë të shumtë.
Ka qenë jashtëzakonisht e lartë merkatoja sepse e dimë që në janar është e varfër, por ka bërë shumë punë duke shfrytëzuar lidhjet që ka ai (drejtori Bunjaku) që i ka bindur të bashkohen me skuadrën tonë. Po i shërbejnë skuadrës, më gëzon që erdhën dhe po e ndihmojnë skuadrën, kemi ruajtur një grup të mirë, nuk duhet të harrojmë që kemi 4-5 mungesa. Fokusi do të jetë vetëm te ndeshja e nesërme, i marrim ndeshjet 1 nga 1, duhet ta harxhojmë të gjithë energjinë te ndeshja e nesërme”, deklaroi ai.





