Kush po e ul Euron? Turizmi sipas ekspertëve, paratë e pista sipas qytetarëve

Gjatë muajit janar, “Monitor” zhvilloi një vrojtim me analistë të tregut financiar lidhur, me faktorët që kanë ndikuar ecurinë e kursit të këmbimit mes Euros dhe Lekut.

Ekspertët u pyetën për të vlerësuar ndikimin e një liste faktorësh, në një shkallë që fillonte nga një deri në pesë.

Mbështetur në përgjigjet e tyre, faktori me peshën mesatare më të lartë në vijimësinë e rënies së kursit të këmbimit Euro-Lek ka qenë turizmi dhe në përgjithësi rritja e eksporteve të shërbimeve në ekonominë shqiptare. Paneli i ekspertëve e ka vlerësuar këtë faktor me një ndikim 4.5 (nga një shkallë maksimale 5).

Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, për të gjithë 9-mujorin 2025, të ardhurat neto nga turizmi arritën në 2.1 miliardë euro, në rritje vjetore me 19.6%.

Turizmi vazhdon të jetë kontribuesi kryesor në zërin e të ardhurave në bilancin e pagesave të vendit.

Përveç turizmit, në përgjithësi sektori i shërbimeve vazhdon të japë një kontribut të lartë në rritjen e eksporteve të vendit. Për të gjithë 9-mujorin 2025, shërbimet sollën të ardhura neto në ekonomi në vlerën e pothuajse 3.5 miliardë eurove, në rritje me 16.4% krahasuar me një vit më parë.

Faktori i dytë më i zgjedhur nga ekspertët e anketuar janë remitancat. Mesatarisht, ndikimi i këtij faktori në kursin e këmbimit vlerësohet në nivelin 3.91.

Për 9-mujorin, dërgesat e emigrantëve arritën vlerën e 817 milionë eurove, në rritje me 5.8% krahasuar me një vit më parë. Valët e reja të emigrimit të shqiptarëve në vitet e fundit kanë ringritur remitancat, duke ndikuar pozitivisht bilancin e llogarisë korrente të vendit.

Faktori i tretë për nga ndikimi, sipas ekspertëve, janë prurjet informale të valutës, me një vlerësim mesatar në nivelin 3.83. Me një ndikim lehtësisht më të ulët vlerësohen prurjet e paligjshme të valutës, me një vlerësim mesatar 3.58.

Lajme të tjera |  "Ose të hedhin Ramën nga kati i tretë ose të hyjnë në politikë..." - Demalia tregon si mund të rrëzohet qeveria nga protestuesit

Në perceptimin e përgjithshëm, flukset informale dhe të paligjshme kanë pasur gjithmonë një ndikim të konsiderueshëm në tendencat e kursit të këmbimit. Një perceptim të tillë duket se e ndajnë edhe ekspertët, që i rendisin ndër faktorët me ndikim në kursin e këmbimit.

Investimet e huaja në pasuri të paluajtshme vlerësohen gjithashtu ndër faktorët me ndikim, me një nivel mesatar 3.66.

Sektori i pasurive të paluajtshme dominoi investimet e huaja për të katërtin vit radhazi në 2025, me një peshë gjithnjë e më të lartë. Për 9-mujorin 2025, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme arritën vlerën e 403 milionë eurove. Vlera e investimeve të huaja në prona është rritur me 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Investimet në këtë sektor përbëjnë më shumë 33% të investimeve të huaja për këtë vit, nga 23% që zinin një vit më parë.

Në renditjen e vlerësimit mesatar të ekspertëve për faktorët që kanë ndikuar kursin e këmbimit, vijon bilanci tregtar, me një mesatare vlerësimi 3.25 dhe ulja e deficitit buxhetor dhe borxhit publik, në nivelin 2.83.

Publiku mendon se euro ra nga flukset informale

Për të ballafaquar mendimin e ekspertëve me mendimin e një publiku më të gjerë, “Monitor” realizoi mes fundit të muajit janar dhe fillimit të muajit shkurt një sondazh në faqen e saj të internetit. Pjesëmarrësit u pyetën për faktorët kryesorë që, sipas tyre, kanë përcaktuar rënien e kursit të Euros ndaj Lekut, me të njëjtat alternativa që iu parashtruan edhe ekspertëve.

Lajme të tjera |  "Mos do ndonjë post nga Edi Rama ti?!"/ Rakipi pyet troç Spahon pas qëndrimeve kur u largua nga PD

Sipas përgjigjeve të sondazhit, në pjesën më të madhe pjesëmarrësit mendojnë se faktorët kryesorë që kanë sjellë rënien e kursit të Euros janë prurjet e paligjshme të valutës, me 36% të përgjigjeve dhe prurjet informale, me 30% të tyre.

Faktorët e tjerë vijojnë me diferencë të konsiderueshme, duke filluar nga turizmi, me 13% të përgjigjeve, investimet e huaja në prona, me 9% dhe remitancat, me 5%.

Rezultatet e sondazhi tregojnë se, në perceptimin e opinionit publik, ekonomia informale dhe e paligjshme është faktori me ndikimin kryesor në rënien e kursit të këmbimit mes Euros dhe Lekut.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye mesatarisht vitin e kaluar me 97.85 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Megjithatë, shkalla e rënies së kursit në 2025 ishte ndjeshëm më e ulët krahasuar me dy vitet e mëparshme. Për vitin 2025, kursi mesatar zyrtar i këmbimit Euro-Lek pësoi një rënie me 2.8%, nga 7.4% që kishte qenë rënia gjatë vitit 2024 dhe 8.6% që kishte qenë rënia gjatë vitit 2023.

Por, ngadalësimi i rënies së kursit mund të shpjegohet në një masë të konsiderueshme me ndërhyrjet e Bankës Qendrore. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, për nëntë muajt e parë të vitit 2025 Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej 825.6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor.

Kjo është vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për këtë periudhë të vitit. Në mungesë të këtyre blerjeve, kursi i këmbimit do të kishte pësuar një rënie edhe më të madhe.monitor

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us