Pentagoni po shqyrton mundësinë e dërgimit të më shumë luftanijeve në Lindjen e Mesme për të shoqëruar cisternat e naftës që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, ndërsa Irani ka shtuar sulmet në këtë rrugë strategjike detare, raporton Wall Street Journal.
Sipas dy zyrtarëve amerikanë të cituar nga gazeta, masa po merret në konsideratë për të garantuar sigurinë e transportit të naftës në një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë, përmes të cilit kalon rreth 20 për qind e furnizimit global me naftë.
Megjithatë, edhe nëse dërgohen luftanije shtesë, forcat amerikane nuk do të fillojnë menjëherë eskortimin e anijeve, pasi sipas zyrtarëve duhet së pari të ulet niveli i kërcënimit nga Irani.
Burimet thanë për WSJ-në se kjo mund të zgjasë deri në një muaj ose më shumë, ndërsa në të njëjtën kohë ushtria amerikane vazhdon sulmet ndaj arsenalit iranian të raketave dhe dronëve.





