Pavarësisht ecurisë pozitive me 5 fitore radhazi në kampionat, që kanë bërë tifozët e Partizanit të mendojnë edhe për titullin kampion, trajneri Oltijon Kërnaja kërkon të ulë euforinë në prag të ndeshjes me Vorën.
“Duhet të shohim ndeshjen e radhës. Të shohim rezultatet tona. Nëse ne marrim ndeshjet tona një nga një, ndeshjet aty janë, nuk varemi nga askush”, tha Oltijon Kërnaja, trajner i Partizanit.
Të kuqtë kanë hapur dyert për rikthimin e sulmuesit të Kombëtares, Jasir Asani, në stërvitje pas pezullimit të kampionatit iranian, por jo për një transferim zyrtar.
“Asani është në shtëpinë e vet, ka dhënë shumë për Partizanin. Nuk mendoj se është momenti dhe koha që Asani të kthehet tani, pasi ka një karrierë përpara”, shtoi ai.
Ndeshja mes Vorës dhe Partizanit do të luhet këtë të diel në orën 15:00, ndërsa rivalët e tyre për zonën “Final 4”, Dinamo, do të përballen me Teutën në orën 18:00.





