Kryetari i PD-së, Sali Berisha, nëpërmjet një videomesazhi, akuzoi kryeministrin Edi Rama për mashtrime lidhur me çmimet e naftës dhe rolin e bordit, duke theksuar se rritja e fundit tregon ndikim të drejtpërdrejtë.
“Edi Rama në monologun e tij foli për investimet e huaja, për një konferencë me mijëra pjesëmarrës, në të cilat në të vërtetë janë dhe mungestarët e mëdhenj në Shqipëri.
Unë dua t’i informoj shqiptarët se, gjatë këtyre 12 viteve, të vetmet investime të mëdha në Shqipëri kanë qenë investimet e kontraktuara, që të gjitha nga PD. Kanë qenë Kaskada e Devollit, me të cilën Edi Rama u tall dhe e përqeshi disa herë përpara. Ka qenë gazsjellësi trans Adriatik, i cili sot është më i çmuar se kurrë për mbarë Europën dhe siç dihet në kontraktimin e tij, Shqipëria luajti një rol përcaktues.
Ka qenë Shell, i cili investoi miliarda në Shqipëri, por për fat të keq nuk gjeti, nuk ka asnjë investitor të madh, në mënyrë absolute, asnjë investitor serioz që të ketë ardhur dhe vendosur investimet e tyre në Shqipëri gjatë këtyre viteve, por përkundrazi kanë ikur investitorët gjigantë, që vetëm në Gjirin e Laëzit planifikonin të investonin 1.5 miliardë euro investime dhe shumë investitorë të tjerë.
Rrugë që shemben, që të gjitha u ndërtuan nga klientela e Edi Ramës, sepse me e-Albania ai përjashton të huajt nga pjesëmarrja në tendera, për arsye se, koha që u përgjigjet e-Albania atyre është 38 ditë, ndërkohë që tenderat kanë përfunduar brenda 34 ditëve. Pra, kemi të bëjmë me një cikël mashtrimesh. Së fundmi, Edi Rama deklaroi se do të fillojë dialogun.
I damkosur, i diskredituar para shqiptarëve me dosjet Balluku dhe AKSHI-n që provojnë se Lubi Balluku dhe Edi Rama janë hajdutët më kryesorë të fondeve publike të miliarda eurove që provuan se AKSHI është kompani e Lindave të tij, e Ergys Agasit, tani i diskredituar para shqiptarëve, por jo më para komunitetit ndërkombëtar, do fillojë fushatën e mashtrimeve dhe gënjeshtrave me mediat e tij të kontrolluara dhe me anëtarësinë militante të PS.
Në këtë rast, u bëj thirrje qytetarëve t’i gjuajnë me vezë dhe domate përfaqësuesit e organizatës kriminale të përfaqësuar nga Edi Rama, të cilët së fundmi vendosën të përdornin mandatet e krimit për të mbrojtur vjedhjet e Lubi Ballukut dhe Edi Ramës. Mos iu jipni asnjë vlerësim tjetër, përveçse vezë dhe domate në drejtim tyre kudo që t’i shihni në rrugë, sheshe, në sallat e Shqipërisë” – tha Berisha.





