Përmes një postimi të publikuar së fundmi në rrjetet sociale, Elbasani ka njoftuar edhe zyrtarisht largimin e 8 futbollistëve, mes të cilëve spikat edhe ai i Xhonatan Lajthisë.
Siç kuptohet, nënkampionët kanë bërë një “kartolinë” falenderimi në drejtim të tyre, për gjithë kontributin dhe përkushtimin që ata treguan për çdo minutë që veshën fanellën verdheblu, pasi kontrata i përfundoi në fundin e këtij edicioni.
Më tej, klubi shkruan se falë punës së tyre, u bë e mundur që të shkruhet një kapitull i rëndësishëm në historinë e Elbasanit, si dhe për përmbushjen e objektivave që do të mbeten mend gjatë në kujtesën e tifozerisë, duke e lidhur këtë “fakt” me kualifikimin për herë të parë në Conference League.
Mes shumë largimesh të tjera, janë ato të Isi Manellarit, Martin Janacek, Karim Loukilit, Emir Azenovic, Ze Gomes, Sigitas Olberkis, dhe Blaise Tsague. Ky “eksod” vjen në një periudhë shumë të rëndësishme, ku Elbasani do të sfidojë BATE Borisov në ndeshjen e parë të këtyre kualifikueseve më 7 korrik.
POSTIMI:
“Faleminderit për përkushtimin, seriozitetin dhe pasionin që treguat në çdo minutë të luajtur me fanellën e Elbasanit.
Së bashku arritëm të shkruajmë një kapitull të rëndësishëm në historinë e klubit, duke përmbushur objektivat dhe duke realizuar arritje historike që do të mbeten gjatë në kujtesën e tifozëve tanë.
Ju falënderojmë për kontributin e dhënë dhe ju urojmë suksese në çdo sfidë të ardhshme.”





