Agron Rufati është futbollisti më i ri i Prishtinës. Njoftimin e kanë bërë të ditur vetë kryeqytetasit përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkruajnë se qendërmbrojtësi do t’i bashkohet ekipit të drejtuar nga Orges Shehi në fazën përgatitore që po zhvillohet në Bolu të Turqisë.
Eksperiencat e mëparshme, si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe në kampionatin shqiptar, bindën drejtuesit që ta afronin 27-vjeçarin në gjirin e tyre, si një element të rëndësishëm në repartin defensiv.
Rufati vjen nga Sllovenia ku ka luajtur për ND Goricën, ndërsa më herët është provuar edhe në skuadrat si Brera Strumica dhe AP Brera, NK Istra dhe Academia Clinceni. Në Superiore, ai luajti për Dinamon, ku fitoi edhe Kupën e Shqipërisë në sezonin 2024/25 nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja.





