Arlis Troplini është 18-vjeçari i cili humbi jetën pas një aksidenti të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 22 gushtit.
Aksidenti ndodhi në autostradën Tiranë-Durrës. Policia njoftoi ditën e sotme, se i riu, për shkak të plagëve të marra, nuk mund t’ia dilte dhe ndërroi jetë në spital.
Mësohet se 18-vjeçari është djali i biznesmenit nga Durrësi, Fatos Troplini.
I riu ndiqte studimet në një universitet privat në Tiranë, i cili ka ndarë edhe një mesazh ngushëllimi.
“Arlisi la një dhimbje të madhe tek njerëzit e tij më të dashur. Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e Arlisit. Mendimet dhe lutjet tona janë me ju!”, thuhet në mesazh.
“Më datë 22.08.2024, rreth orëve të para të mëngjesit, në autostradën Tiranë-Durrës, shtetasi A. T., 18 vjeç, duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga duke rënë në kanal. Drejtuesi i mjetit është dërguar në spital për ndihmë mjekësore, por si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë më pas”, njofton policia.